Interi ka marrë një tjetër fitore në Serie A, derisa ka mposhtur Parmën në fushën e saj me rezultatin 1-2.

Pavarësisht rasteve të mira të shënimit, 45 minutat e para nuk sollën gola dhe kësisoj skuadrat shkuan në pushim me rezultat të bardhë 0-0.

Interi e nisi mirë pjesën e dytë, kur në minutën e 54-të Romelu Lukaku asistoi për Alexis Sanchez i cili realizoi për 0-1.

Në minutën e 62-të, Lukaku asistoi përsëri, teksa Sanchez shënoi golin e dytë personal në këtë takim, duke i krijuar epërsi komode skuadrës së tij.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe ngushtuan rezultatin në minutën e 71-të me mesfushorin brazilian Hernani që ishte dhe goli i fundit i ndeshjes.

Me këtë fitore, Interi vazhdon kryesimin në Serie A me 59 pikë pas 25 ndeshjeve, derisa Parma mbetet në vendin e parafundit në tabelë me vetëm 15 pikë.

Ndeshjen e radhës Interi do ta luajë në shtëpi ndaj Atalantës, derisa Parma do të përballet me Fiorentinën në udhëtim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu