Real Madridi e ka kryer punën në mënyrën më të mirë në sfidën e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit (3-1).

Mbretërit e dominuan fraksionin e parë të ndeshjes së zhvilluar në stadiumin ‘Alfredo di Stefano’, ku i shënuan dy gola.

Pas fillimit të kujdesshëm në minutat e para, Vinicius Junior nuk e shfrytëzoi si duhet një pasim nga Ferland Mendy, ashtu që nuk arriti të shënonte.

Porse ndryshe ndodhi në minutën e 27-të kur Toni Kroos dërgoi një harkim të përsosur nga largësi dhe e nxori brazilianin të vetëm para portierit, ai duhej vetëm ta pranonte topin dhe të godiste, ndërsa pikërisht këtë e bëri.

Një mundësi të mirë në vazhdim e pati Karim Benzema që nuk u shfrytëzua siç duhej. Megjithatë, Marco Asensio u kujdes për golin e dytë duke e kaluar me parabolë Alissonin dhe duke shënuar (36’).

Rastet nuk munguan për vendasit edhe në minutat e mbetura të gjysmës së parë, derisa Liverpooli nuk pati asnjë goditje drejt portës së Realit.

Mysafirët e nisën më mirë fraksionin e dytë të lojës, në të cilin e kërkuan menjëherë golin dhe këtë e arritën.

Mohamed Salah e shfrytëzoi një top të pa larguar mirë dhe e ngushtoi rezultatin (51’).

Toni Kroos dhe Sadio Mane patën nga një rast në secilën anë, por nuk i shfrytëzuan.

Falë asistimit nga Luka Modric, Vinicius Junior shënoi edhe golin e dytë personal (67’) në këtë takim dhe të tretin për Los Blancos.

Nga minuta e 81-të në ndeshje u inkuadrua edhe mesfushori shqiptar, Xherdan Shaqiri, që zëvendësoi Diogo Jotan.

Rezultati 3-1 është mjaft komod për Real Madridin, ndërsa Liverpooli do të shpresojë ta shfrytëzojë golin e shënuar në terren mysafir për ndeshjen kthyese.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu