Në drejtimin e kryetares znj. Grida Duma, komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, zhvilloi ditën e sotme dy takime në qytetin e Elbasanit.

Këto takime u organizuan me mbeshtetjen e OSBE në kuadër të projektit “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri”, mbështetur nga Prezenca e OSBE në Shqipëri dhe Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Pjesë e këtyre takimeve ishin edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë znj. Vjollca Braho, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik znj. Eugena Tomini, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Nina Guga, drejtoresha e Spitalit të Traumës znj. Edlira Bode si edhe zëvendësdrejtori z. Vilson Ruci, rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” z. Skënder Topi, znj. Flutura Beqo drejtoresha e Politikave dhe Menaxhimit të Shërbimit Spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë dhe përfaqësuesja nga ministria për Rinisë dhe Fëmijëve znj. Arlinda Topçiu, studentë nga infermieria, fizioterapia, staf mjekësor etj.

Takimi i parë i komisionit u zhvillua në ambientet e Spitalit Rajonal te Elbasanit.

Gjatë vizitës në këtë spital, drejtori i spitalit z. Agron Goxha, paraqiti një historik të shkurtër të ecurisë së spitalit, arritjeve në vite, problematikat që e shoqërojnë atë si edhe prioritetet për vitin 2022.

Po ashtu, edhe te pranishmit diskutuan mbi këto çështje duke dhënë mendime të ndryshme.

Komisioni vazhdoi me seancën dëgjimore në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Paneli i përbëre nga kryetarja znj. Grida Duma, zëvendëskryetarja znj. Klodiana Spahiu dhe deputetët z. Florenc Spaho dhe z. Ilir Pendavinji, folën duke dhënë mendimet dhe të dhënat e tyre për depistimin e skoliozës te fëmijët, si edhe shqetësimet e ngritura mbi këtë çështje, duke ofruar mbështetjen e tyre për ndërgjegjësimin, lehtësimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje, e cila duhet të marri vëmendje maksimale pasi prek një nga shtresat më delikate të popullsisë, të cilët janë fëmijët.

Po ashtu, mbajti një fjalë përshëndetëse edhe Rektori i këtij universiteti z. Skënder Topi.

Disa prej të ftuarve si zëvendësministrja e Shëndetësisë znj. Vjollca Braho dhe zëvendësministrja e Arsimit znj. Nina Guga, shprehën angazhimin maksimal të ministrive përkatëse sa i përket depistimit të skoliozës tek fëmijët si edhe hapat e ndërmarra deri tani për këta fëmije.

Fokusi, u vendos tek shkaqet e skoliozës, diagnostikimit, format e saj, opsionet e trajtimit si edhe perspektivat afatgjatë për një fëmijë me skoliozë.

Gjatë diskutimit, u ngritën shqetësimet për vazhdimin e punës mbi këtë sëmundje, postifikimin dhe të dhënat e updateuara sipas rastit të të prekurve, mënyrat e trajtimit etj.