Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e të Rinjve në bashkëpunim me Fondacionin Albanian Canadian Development Alternative (ADE) organizuan promovimin e botimit të dy vëllimeve të para “Elbasani dhe Korça në dokumentet osmane të Arkivit të Stambollit” si dhe projektin “Dokumente për Shqipërinë dhe shqiptarët” (DShSh).

Aktiviteti u mbajt në sallën “Aleks Buda” me praninë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi, zëvendëskryetarit akad. Vasil Tole, sekretarit shkencor Shaban Sinani, Kryetarit të Seksionit të Shkencave Albanologjike dhe Shoqërore prof.dr. Gëzim Hoxha dhe akademikëve dhe studiuesve të njohur.

Promovimi u moderua nga redaktorët e veprës prof. dr. Ferit Duka dhe historiani dr. Andi Rëmbeci.

Dr. Rëmbeci tha se vepra “Elbasani e Korça në dokumentet osmane të arkivit të Stambollit, përkthyer nga dr. Ermal Nurja sjell për studiuesit në shqip një përshkrim të përmbajtjes së dokumenteve në gjuhën osmane mbi qytetet e Elbasanit e Korçës që gjenden në Arkivin e Presidencës së Republikës së Turqisë në Stamboll. Janë riprodhuar të dhëna arkivore nga dr. Ermal Nurja që i përkasin një periudhe të vështirë për vendin.

Është një fushë e vështirë, se këto arkiva kanë të bëjnë me zotërimin e njohurive të gjuhëve të vjetra si osmanishtja dhe të tjera, por përkthimi dhe katalogimi i tyre është i domosdoshëm. Pikërisht ne si Akademi e të Rinjve duke parë këtë lloj orientimi jemi të lumtur që me mbështetjen e Akademisë së Shkencave marrim përsipër për të përuruar jo vetëm historinë, por edhe studiuesit e rinj, tha dr. Rëmbeci.

Prof. dr. Duka falënderoi Akademinë e Shkencave dhe Akademinë e të Rinjve, fondacionin ACDNA dhe Kryetarin akad. Skënder Gjinushi për promovimin e një vepre që është në shërbim të historisë.
Ai tha se periudha bashkëkohore do të mbetet e studiuar në mënyrë të çalë, nëse nuk njihen dokumentet e periudhës osmane.

Prof. dr. Duka përshëndeti punën e kolegut dr. Emal Nurja dhe i vlerësoi udhërrëfyesit për arkivat osmane si një instrument të rëndësishëm për studimin e historisë shqiptare.
Thellimi dhe zgjerimi i kërkimeve në këtë drejtim mbetet ende një përparësi e padiskutueshme e historiografisë shqiptare. Është e domosdoshme që të studiohen çështje ende të patrajtuara, të interpretohen më drejt ose të rishqyrtohen nga këndvështrime të reja dukuri e procese që lidhen me periudhën në fjalë. Një rëndësi të veçantë merr fuqizimi i bazës dokumentare të studimeve historike, ku një rol domethënës ka pa dyshim shtimi dhe përsosja e informacionit për arkivat osmane.
Në arkiva dhe biblioteka të shteteve të huaja, pjesa dërrmuese e këtij dokumentacioni ruhet në gjuhën latine dhe osmane, por edhe në gjuhën greke, sllave, hebreje, etj.
Një numër i madh dokumentesh për trevat shqiptare dhe shqiptarët gjenden në Arkivin Osman të Stambollit, që mbulojnë periudhën mes shekujve të XV dhe dekadat e para të shekullit XX. Meqë botimi në shqip i këtyre dokumenteve kërkon kohë dhe ka kosto të lartë financiare, materialet në formën e një katalogu do të shërbejnë që akademikët, historianët, të interesuarit dhe të pasionuarit pas historisë të mund të gjejnë të dhëna për çështje dhe personazhe specifike që i përkasin historisë shqiptarë nën sundimin osman.

Prof. dr. Gëzim Hoxha tha se gur të rëndësishëm të kësaj periudhe plotësohen me materialin e udhërrëfyesit dhe falënderoi autorin dr. Nuraj duke i premtuar mbështetjen e Akademisë së Shkencave në punën vijuese të mbledhjes së dokumenteve që na ndihmojnë për të konsoliduar historinë e vendit tonë.

Autori Ermal Nurja pasi shprehu falënderimet ndaj Akademisë së Shkencave, Akademisë së të Rinjve për organizimin e aktivitetit për botimet e katalogut të Elbasanit dhe të Korçës në dokumentet osmane të Arkivit të Stambollit, tha se këto botime janë pjesë e një projekti më të gjerë që synon të përfshijë të gjitha qendrat administrative të Shqipërisë otomane brenda Republikës së Shqipërisë.

Në arkivin e Presidencës në Ankara ruhen dokumentet pas shpalljes së republikës turke, ndërsa në arkivin e Presidencës në Stamboll ruhen dokumentet e perandorisë osmane, deri në vitin 1922.
Në arkivin osman të Stambollit ruhen dhe shërbehen edhe kopjet digjitale të dokumenteve osmane të arkivit të Topkapisë që varet nga Ministria e Kulturës, të arkivit osman që varet nga Ministria e Punëve Publike, së fundmi edhe arkivat osmane që varen nga Ministria e Mbrojtjes (ish Ministria Osmane e Luftës, që mbulon periudhën 1845-1922).

Ruhen dokumentet origjinale të perandorisë osmane, rreth 100 milion dokumente dhe 400 mijë regjistra. Deri më sot janë përpunuar dhe i ofrohen studiuesve për studim 60 milion dokumente dhe regjistrat.

Dr. Ermal Nurja theksoi se dokumentacioni në gjuhën osmane në Arkivin e Stambollit, përveç Turqisë, përmban informacion për më shumë se 40 shtete të ndryshme.
Regjistrat më të vjetër që ruhen në arkivin osman janë pikërisht regjistri i Shqipërisë i vitit 1431 dhe një regjistër (i pari i llojit të tij i detajuar) i botuar në vitin 2017 (Evgeni Radushev dhe Ugur Alltug) që ka të dhëna për Qyprillinë, Kastorian dhe Kolonjën.

Seria është projektuar të dalë në 17 vëllime. Dy vëllime janë për dokumentet që kanë të bëjnë me konceptet Shqipëri politike, gjuha shqipe dhe të dhëna për komunitetet shqiptare përjashta hapësirave tradicionale etnike në Ballkan. Një botim i veçantë do të përgatitet për katalogun e Ali pashë Tepelenës, nën emrin e të cilit gjenden 1500 dosje në arkivin osman të Stambollit.

Së shpejti do dal një nga vëllimet e Shkodrës, ndërsa Akademia e Shqipërisë ka mbështetur botimin e katalogut të Vlorës. Deri në fundin e vitit shpresojmë që të kemi botuar edhe katalogët e tjerë.

Sot në arkivin e shtetit shqiptar ruhen afërsisht 300 mijë fletë dokumente (ku pjesa më e madhe 75 % e tyre) i përkasin sanxhakut të Elbasanit osman.

Në udhërrëfyesin dokumentar i Elbasanit, me redaktorë shkencore të prof. dr. Ferid Duka dhe me recensentët prof. dr. Zhuljeta Kadilli – Daja dhe prof. asoc. dr. Majlinda Perriu – Peza, Autori, përveç përkthimit të treguesve të dokumenteve osmane të Elbasanit, që njëherësh janë përmbajtje të shkurtra të dokumenteve në fjalë, ka dhënë edhe informacione të vyeshme për llojet e fondeve të arkivit osman të Stambollit.

Përveç botimit të katalogëve, është formuar edhe platforma DSHSH (Dokumente për Shqipërinë dhe Shqiptarët) si mjet lehtësimi në botën digjitale, por njëkohësisht edhe si fazë e ndërmjetme deri në përfundimin e përpunimit të gjithë materialit arkivor në arkivin osman të presidencës në Stambollit.

Prezantimi i projektit DSHSH u shfaq me një video sqaruese, ku faqja e internetit do të krijoje mundësinë për kërkime te shpejta dhe efektive të një baze të dhënash, që do të përmbajë të përkthyer në gjuhën shqipe treguesit e dokumenteve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët që ndodhen në arkiva të huaja.