Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli ka deklaruar ditën e sotme në Komisionin për Çështjet ligjore se mjekët shqiptarë nuk largohen drejt Gjermanisë për shkak të pagës.

Ajo u shpreh se shkak është fakti se mjekët gjermanë largohen drejt Zvicrës dhe SHBA-ve. Rakacolli theksoi se sot mjekët kanë kushte më të mira.

“Pagat e mjekëve dhe infermierëve janë rritur. Do të rriten me 40% gjatë mandatit. Sapo u bë rritja më e madhe që është bërë ndonjëherë. Ishte rritja e tretë brenda mandatit.

Në Gjermani mjekët nuk shkojnë për shkak të pagës. Mjekët që ikin në Gjermani ikin sepse mjekët gjermanë ikin në Zvicër dhe Amerikë. Emigrojnë edhe ata. Lëvizja e lirë e njerëzve.

Në Gjermani shkojnë mjekët por mos harroni që nga 1.3 mjekë për 1 mijë banorë kemi 1.9 mjekë për 1 mijë banorë. Unë nuk ia fus kot se nuk jemi këtë për lojë kungulleshkash. Mjekët këtu kanë kushte. Nuk është vetëm rroga”, – deklaroi Rakacolli.