Prodhuesi gjerman i veturave, BMW, i ka prezantuar modelet e reja M3 dhe M4 Coupe. Ato kanë performancë të njëjtë dhe nuk dallojnë shumë as në dizajnin e jashtëm.

Këto modele kanë trup më të gjerë te rrotat në krahasim me modelet standarde josportive të Serisë 3 dhe Serisë 4, shkruan Autocar.

Modelet do të kenë motor me vëllim 3.0 litra, i cili prodhon 473 kuaj-fuqi. Njësoj si me modelet X3 M dhe X4 M, modelet M3 dhe M4 do të jenë të qasshme edhe në variantin Competition, i cili pritet të ketë rreth 500 kuaj-fuqi.

Për herë të parë në modelin M3, personat e interesuar për blerjen e veturës mund ta porosisin edhe variantin me tërheqje me katër rrota. Raportohet se kjo do të jetë gjenerata e fundit e modeleve sportive pa rrymë dhe vetëm me benzinë për shkak të objektivit për zvogëlimin e gazrave të karbonit.

Nuk ka hollësi të konfirmuara për performancën e shpejtësisë, por modelet që janë më të lehta dhe më të fuqishme se modeli M3 CS pritet të jenë më të shpejta se 3.9 sekonda për arritjen e shpejtësisë nga 0 deri në 100 kilometra në orë.

Veturat do të shiten me zgjedhje mes ndërruesit manual me gjashtë shpejtësi ose ndërruesit automatik me tetë shpejtësi.