Florian Marku ka triumfuar përballë Miguel Parra Ramirez në takimin e vlefshëm për titullin WBC Silver në kategorinë e mesme të lehtë.
I pamposhturi ‘The Albanian King’ u ndesh në Air Albania Stadium në Tiranë, në mbështetjen e mijëra tifozëve shqiptarë që kishin shkuar për ta mbështetur.
Ish-ylli i MMA kërkonte titullin WBC Silver ndaj kundërshtarit në kategorinë e tij dhe këtë e arriti pas 10 raundeve.
Ramirez e nisi më mirë përballjen, mirëpo me kalimin e raundeve, filloi dominimi i shqiptarit.
Marku e rrëzoi rivalin e tij në raundin e katërt, por më pas pësoi një të carë në kokë që nuk i pengoi të vazhdonte dominimin.
Në raundet pesë dhe gjashtë, ‘Mbreti shqiptar’ ishte më i kujdesshëm duke u mbrojtur dhe duke marrë kontrollin mbi kundërshtarin e tij.
Në raundin e shtatë, Marku i shkaktoi një të çarë nën syrin e djathtë të meksikanit, por ai vazhdonte të mos dorëzohej.
Raundi i tetë ishte i vështirë për Florianin, pasi u rrëzua dhe e pati të vështirë të mbahej deri në mbyllje të këtij raundi.
Në raundin e parafundit, boksieri shqiptar arriti të konsolidohej dhe të rikthehej për ta mbizotëruar boksierin meksikan.
Marku vazhdoi të sulmonte edhe në raundin e fundit, edhe pse thjesht duhej ta mbante epërsinë me pikë, por dëshira e tij ishte që të fitonte me nokaut, megjithatë Ramirez u mbajt deri në rënien e gongut.
Me vendim unanim të gjyqtarëve (96-91, 96-91 dhe 95-92), titullin vakant WBC Silver të përkohshëm e fitoi ‘The Albanian King’, Florian Marku.
Pas përfundimit të ndeshjes dhe shpalljes kampion, Marku i falënderoi mijëra shqiptarët që kishin shkuar në ‘Air Albania Stadium’ për ta mbështetur.
Në deklaratën e tij, ai ka thënë se “kushdo që vjen këtu, jep shpirtin për të fituar” ka kërkuar duartrokitje për meksikanin që kishte ardhur në Shqipëri për të dhënë një duel të fortë.
Duke kujtuar jetën e vështirë që ka kaluar, Marku ka thënë se edhe ai ka shpirt dhe ka momentet e vështira, porse ka thënë se nuk dorëzohet kurrë deri kur nuk mund të çohet më.
“Diçka jua premtoj, sa të boksoj, unë jap shpirtin dhe nuk dorëzohem kurrë në këtë ring derisa të bie pa ndjenja… përndryshe nuk ka dorëzim”, – është shprehur kampioni.