Borussia Dortmundit i ka mjaftuar një gol në ndeshjen e javës së 30-të në Bundesliga për të regjistruar fitore kundër Hertha Berlinit në Signal Iduna Park.
Gjysma e parë e takimit nuk prodhoi shumë raste shënimi, ashtu që skuadrat shkuan në pushim pa ndryshim rezultati.
Në minutat e para të pjesës së dytë, vendasit patën një rast shumë të mirë shënimi kur Thorgan Hazard e nxori në rast shumë të mirë Jadon Sanchon, por ai goditi jashtë portës.
Skuadra mysafire rrezikoi në anën tjetër përmes Alexander Esswein, goditja e të cilit po ashtu përfundoi jashtë.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 58-të. Emre Can krijoi hapësirë në qendër të zonës dhe e dërgoi topin në rrjetë.
Me fitoren e regjistruar, Borussia Dortmundi vazhdon ta ndjekë Bayern Munichun me 7 pikë prapa, ndërkohë që kanë mbetur edhe 4 ndeshje deri në fund të kampionatit.
Hertha Berlini është në një pozitë komode në tabelë (në vend të 9-të) larg zonës së rrezikut dhe madje mund të kërkojë një vend në Ligën e Evropës në ndeshjet e mbetura.