Real Madrid ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 në udhëtim ndaj Leipzig, në kuadër të fazës së 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

E tërë ndeshja u përcoll me një ritëm të lartë ku rastet nuk munguan si për Real Madridin ashtu edhe për Leipzigun.

Vendasit në fakt arritën që të kalojnë në avantazh përmes Benjamin Seskos (2’) por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje. I njëjti lojtar pati edhe një mundësi tjetër shënimi në minutën e dhjetë, por Lunin ia mohoi golin.

Real Madridi shtoi intensitetin e lojës në pjesën e dytë dhe kjo iu shpërblye atyre me një gol.

Brahim Diaz (48’) pas një aksioni të bukur individual shënoi një gol të jashtëzakonshëm për t’i dhënë epërsinë prej 1-0 madrilenëve.

Dani Olmo (71’) bëri një goditje shumë të fortë, por edhe një herë tjetër Andriy Lunin nuk lejoi që të mposhtej.

“Los Blancos” patën mundësinë që të dyfishojnë rezultatin, por goditja e Vinicius Junior (72’) u ndal nga shtylla.

Leipzigu pati edhe një rast të artë shënimi me Benjamin Seskon (85’) të cilit edhe një herë tjetër iu mohua goli nga Lunin.

Real Madridi kështu arriti ta menaxhojë epërsinë e krijuar në fillim të pjesës së dytë dhe mori fitoren e vlefshme në udhëtim para sfidës së kthimit që do të luhet në “Santiago Bernabeu” muajin e ardhshëm.

Manchester City ka marrë fitore nëndeshjen e parë ndaj Copenhages në udhëtim me rezultat 1-3.

Kampioni në fuqi e nisi shumë mirë ndeshjen, kur vetëm pas 10 minutash lojë realizuan golin e parë me Kevin de Bruye për 0-1 pas një asistimi fantastik nga Phil Foden.

Vendasit arritën të barazonin rezultatin në minutën e 34-të, kur Mattsson realizoi nga distanca për 1-1 pas një gabimi të portierit Ederson.

Megjithatë City riktheu epërsinë në minutën e parë të kohës shtesë, kur kësaj radhe De Bruyne asistoi derisa Bernardo Silva shënoi për 1-2.

Me epërsinë minimale të Cityt 1-2 u mbyllën 45 minutat e para të kësaj sfide.

Edhe në pjesën e dytë kampioni në fuqi i Evropës dominoi duke krijuar disa raste të mira shënimi.

Haaland arriti të qëllonte shtyllën me kokë, por sulmet e Cityt nuk u ndalen deri në fund të ndeshjes.

Në minutën e fundit të kësaj sfide ishte talenti anglez Phil Foden që realizoi për rezultatin përfundimtar 1-3.

Ndeshja e kthimit mes Manchester Cityt dhe Copenhagen zhvillohet më 6 mars në Etihad Stadium.