Duke nisur nga data 4 maj do të zgjerohet harta e zonave të gjelbra, ku rreziku për përhapjen e koronavirusit është më i ulët. Këtë lajm e tha vet ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Në një komunikim për mediat, Manastirliu tha se bëhet fjalë për bashiktë; Tropojë, Rrogozinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kucovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë. Ministrja tha se këto bashki do të kenë të njëjtën fashë orare si ato të zonës së parë të gjelbër.

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni, në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve. Strategjia e ri-ihapjes e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese. Nga data 4 Maj do të përfshihen si zona të gjelbërta bashkitë: Tropojë, Rrogozinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kucovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë”, bëri të ditur Manastirliu.