Nga Dritan ÇOKU
KULLA E SAHATIT NË KALANË E ELBASANIT

Hyrja
Ashtu si në viset e tjera të Ballkanit edhe në Shqipëri, ndërtimi i kullave të sahateve bëhej zakonisht në mjediset më të gjallëruara dhe më të dukshme të qyteteve, në sheshet e pazareve, pranë xhamive kryesore, apo në vende të ngritura brenda kështjellave etj[1], si elementë shenjë (referues), në kontrast me siluetin e lagjes dhe qytetit në përgjithësi[2]. Ndërtimi i këtyre objekteve të rëndësishme urbanistike shënonte, pa dyshim një kërkesë të ngritur të shoqërisë qytetare të kohës në vendin tonë[3]. Në këtë artikull do të ofrojmë një sintezë tërheqëse historike – ilustrative mbi kullën e sahatit në kalanë e Elbasanit[4].
Udhëtarët e studiuesit, që panë Elbasanin në të shkuarën, nuk kanë mbetur indiferentë përpara pasurisë së tij kulturore. Kudo në shkrimet e tyre ata pasqyrojnë realitetin faktik dhe vlerat e tij.
Ndër të parët që ka vizituar Elbasanin, është senatori i Venedikut Lorenco Bernardo (1591)[5]. Sipas raportit të peshkopit Nikollë Mekajshi (1609), Elbasani konsiderohej si kryeqendra (metropoli) e Shqipërisë së Mesme dhe njëkohësisht si një qytet me popullsi të madhe dhe me lagje të shumta. Disa vjet më vonë (1635), Frang Bardhi e cilësonte atë me fjalët “urbs popolosa”[6].
Në shek. XVII Elbasanin e vizitojnë udhëtarë e kronistë të Perandorisë Osmane, të cilët kanë botuar shënime udhëtimi, kronika, të dhëna, me interes historik, gjeografik e demografik[7].

Ky qytet njohu një lulëzim të ri me rindërtimin e Kalasë në vitin 1466 gjatë fushatës së Shqipërisë nga Sulltan Mehmeti II[8]. Që atëherë, u ndërtuan një sërë faltoresh, më e vjetra e të cilave ishte mbi kullën me portën e hyrjes (që u prish në vitin 1832) për në kala, e njëkohëshme me rindërtimin e Kalasë[9].
Në përshkrimin që udhëpërshkruesi osman Evlija Çelebi i bën fortesës së Elbasanit na informon se: “Afër kësaj xhamie (xhamisë së Hyngjarit mbi portën e kiblës) është sahati i bukur, i cili nuk shmanget asnjë minutë dhe u prin gjithë muezinëve”[10]. Ai është i pari deri tani që përmend kullën e sahatit, por për këtë vepër ndërtimore nuk kemi dëshmi dokumentare se si ka qenë pamja arkitektonike e saj.
Elbasani paraqitet në një gravurë të Hristofor Žefarović e vitit 1742 (fig.1). Kjo vepër artistike na tregon peisazhin urban dhe siluetën e shtrirë të qytetit, banesat dhe minaretë brenda dhe jashtë mureve të kalasë mesjetare, kisha brenda saj, selvitë e dendura në sfond dhe ura mbi lumin Shkumbin, por jo kullën e vjetër të sahatit.
Në fund të shek. XVIII, Mehmet Said përshkruan ndërtimin e kështjellës së Elbasanit…[11]
Për Elbasanin, një vend të veçantë zënë shënimet dhe botimet e autorëve europianë në shek. XIX si: Leak[12], Pouqueville[13], Ami Boue[14], dhe H.Hecquard[15], por pa e përmendur kullën e sahatit. Edward Lear më 26 shtator 1848, përveç se përshkruan Elbasanin si “një qytet në veçanti piktoresk…”[16], ai realizon edhe disa vizatime, ku kulla e sahatit është e përfshirë tek njëra prej tyre (fig.10). Ndërsa albanologu Georg von Hahn, ka theksuar në vitin 1850[17], se kulla e sahatit është shkatërruar nga zjarri (pasoja e të cilit ishte edhe shkrirja e këmbanës së saj), në vitin e vdekjes së Sulltan Mahmudit II (1839). Sipas tij, këmbana e kishës së madhe të Martaneshit nuk u arrit të blihej nga qytetarët dhe për këtë arsye, ata u detyruan të blinin një këmbanë të re në Trieste[18] [19]. Kullën e sahatit e përmend edhe Tozeri në vitin 1865[20]. Ajo duhet të jetë shkatërruar përsëri, por deri tani nuk dihen shkaqet e dëmtimit.


Në 1875, diplomati dhe filologu francez Auguste Dozon[21] dhe në gusht të vitit 1890 Victor Bérard së bashku me shokun e tij Emile Legrand gjatë udhëtimit të tyre nëpër Shqipëri, midis qyteteve të tjera ofrojnë të dhëna me interes edhe për qytetin e Elbasanit[22], por pa përmendur kullën e sahatit. Ndërsa Hugh Callan në vitin 1898 gjatë përshkrimit që na ofron për këtë trashëgimi arkitektonike e vlerëson atë duke e cilësuar të vjetër[23]. Por cilin ndërtim ka parë ai? Mos vallë nuk kishte filluar ende rindërtimi i kullës që trashëgojmë sot? Apo është thënë në ndonjë kuptim tjetër, duke e përfshirë edhe këtë vepër ndërtimore si të vjetër, në peisazhin urban mesjetar të këtij qyteti? Çfarë të dhënash na tregojnë mbishkrimet, të cilat ndodhen në trupin e gurtë të kësaj trashëgimie arkitektonike?

Mbishkrimet & historiku i rindërtimit

Historia e rindërtimit të fundit të kullës tregohet prej mbishkrimit në turqishten osmane. Mbishkrimi ndodhet mbi derë që të çon në kullë, në pjesën jugore me pamje nga çarshia. Ai është i rrethuar nga dy pllaka prej guri gëlqeror të një përmase të njëjtë, në të cilat ndodhet një “pasqyrë”, e zbukuruar me një hark të shtrirë.

Në pllakën e majtë të mbishkrimit osmanisht shkruhet viti 1899 (fig.2) me shifra si dhe fjalët:
“Mestr Ilo, Selo Luko” (Mjeshtri Ilo nga fshati Luko) (me gërma të vjetra sllave). Guri në të djathtë të tekstit në osmanisht duket se është përcaktuar për një tekst në greqisht, i cili për një arsye apo një tjetër, nuk është bërë[24]. Sipas Kiel, teksti në osmanisht ishte i pabotuar…[25] I përkthyer në shqip, ky tekst është si vijon:
1a) Mbreti i mbretërve të Botës, Abdulhamid Kani dashamirësi,
b) me përkrahjen e tij është ndërtuar kjo kullë (sahati) e mrekullueshme.
2a) Populli patriot i gjithë i Elbasanit ka dhënë mbështetjen e tij,
b) ka sjellë në jetë (ka krijuar) këtë kronometër të bukur.
3a) Akif Beu ka bërë përpjekje dhe kujdes
b) Zoti ia shpërbleftë dhe ia kompensoftë me krejt botën dhe çka ndodhet në të!

4a) Sa herë që kumbon ajo (bie) me zërin e saj e tregon kohën (orën) në formën më të bukur,
b) ajo të tregon minutin dhe orën në të katër anët.
5a) Meqë ke talent për poezi, o Refik, shkruaje kronogramin e saj!
b) “Ajo është ndërtuar në ditën e parë të vitit 1315.
Viti 1315 AH (=2.6.1897 – 21.5.1898)
Kështu, ka një vit ndryshim midis kësaj date dhe datës së shkruar në tekstin e vjetër në sllavisht. Mund të marrim me mend se teksti në osmanisht është përgatitur shumë muaj më përpara mbarimit të kullës dhe teksti i thjeshtë në sllavisht pasqyron më shumë datën e saktë të ndërtimit të kullës[26].
Përveç dy mbishkrimeve të mësipërme, gjenden edhe dy të tjera. Nga kërkimet tona deri tani rezulton se këto dy të fundit nuk janë trajtuar më parë në literaturë. Njëra në mekanizmin e orës (fig.4 d,e) me shënimin “C. FONTANA, MILANO” (Cezare Fontana, Milano), ndërsa tjetra në këmbanë[27] (fig.5), ku shkruhet një shprehje në latinisht: “DEO OPTIMO MAXIMO SIT – OPUS 1819” (“Për zotin më të mirë dhe më të madh” ose “për zotin, më të mirë, më të madh” dhe datën e prodhimit të këmbanës vitin 1819). Me të dhënat e mësipërme kuptojmë se këmbana duhet të jetë e ndonjë kishe. Deri në vitin 1912 tingujt e këmbanës së kësaj ore dëgjoheshin prej qeraxhinjëve dhe udhëtarëve deri 5-6 km larg. Flitet se gjatë luftrave ballkanike ushtria serbe që pushtoi Shqipërinë e Mesme më 1913, e ndërroi këtë këmbanë me një tjetër[28].

Mekanizmi i orës

Kullat e sahatit, siç e tregon dhe vetë termi, janë të ndërtuara përgjatë një aksi vertikal dhe arrijnë lartësi të madhe. Ato janë me bazë kuadratike dhe përbëhen prej pjesës së poshtme që zë lartësinë më të madhe, ku lëvizin peshat (fig.3) dhe prej ambienteve të mekanizmit mbi të dhe këmbanës në pjesën më të lartë[29].
Mekanizmi i orës së kullës (fig.4 a,b,c) mishëron koncepte themelore nga disiplina mekanike dhe inxhinierike e kontrollit. Analiza e mekanizmit mekanik me mekanizmin e karelit të integruar dhe lavjerrësin ilustron qartësisht shndërrimin e saktë të energjisë potenciale në lëvizje periodike[30].
Duke patur parasysh katër metodat e instalimit, kjo e kullës së sahatit në kalanë e Elbasanit është në skemën Nr.1, e cila tregon pozicionin e orës me fusha përballë mekanizmit të orës dhe këmbanën mbi mekanizmin e orës dhe fushat[31]. Ndërsa përsa i përket pozicionit të fushave me mbërthimin e skeletit të tyre është: a) – muri; b) – skeleti i fushës; c) – mbërthimi i skeletit[32].

Përshkrimi arkitektonik

Nga ana jugore e kalasë së Elbasanit (fig.6), ngrihet kulla e sahatit[33] (fig.7) me një planimetri katrore 4,05 x 4,09 m mbi njerën prej kullave fortifikuese (ashtu si në Prezë[34], Kaninë[35], Tepelenë[36] e Durrës[37]) me lartësi 5,70 m (TAB.I-IV). Nga njëzetë e gjashtë kulla që ka pasur kalaja, sot ruhen vetëm tetë[38].
Koha kur kalaja erdhi në gjendjen që kemi sot është prej shkatërrimit rrënjësor që ndodhi në vitin 1832 nga veziri i madh Reshit Mehmet Pasha, i cili rrafshoi kështjellën, pasi kishte shtypur kryengritjen e pashallëkut të fundit të Shkodrës[39].
Më shumë se çdo objekt i veçuar arkitektonik, kohës i ka qëndruar struktura urbane e vendbanimeve, strukturë që ka pranuar ndryshimin dhe zhvillimin epokë pas epoke[40].
Kjo trashëgimi arkitektonike deri në lartësinë 3,05 m është e ndërtuar me blloqe të lëmuar prej guri gëlqeror, më pas vazhdon prej tulle duke ruajtur të gurta qoshet. Kulla e sahatit është e lartë 19,45 m, ndërsa trashësia e mureve të saj është 1 m. Për të hyrë në kullën e sahatit shërben porta me orientim jugor (fig.8), në të cilën janë gdhendur në reliev disa simbole[41]. Ngjitja deri tek ambjenti i këmbanës kryet me shkallë prej druri origjinale (fig.9). Përveç anës veriore, tri anët e tjera të saj ndriçohen nga hapësira të vogla si frëngji (fig.10). Tri pilastra të rrafshëta zgjaten lart dhe ndajnë murin në dy rripa vertikalë të barabartë me njëri-tjetrin (fig.11). Kulla mbaron me dy vrima të mëdha kumbuese në secilën prej katër faqeve, duke përfunduar të gjitha me një tambur trekëndor. Poshtë vrimave kumbuese ndodhen katër orë të mëdha. E tërë kulla është e ndërtuar në përputhje me arkitekturën e fundit të shekullit XIX dhe si rrjedhojë është tipike për periudhën e vonë osmane të reformës dhe ndryshimeve[42].
Teknika e ndërtimit dhe materialet e përdorura (hekuri në brezat e murit dhe për tiranta, druri për shkallë dhe dysheme, tulla e pjekur mirë në kupolë dhe mure, suvatimi dhe trajtimi koloristik) tregojnë për një vazhdimësi të traditave vendase dhe përvetësim të teknologjive më të reja[43].
Kjo vepër ndërtimore me karakter publik është projektuar dhe ndërtuar në formë dhe përmbatje për matjen e kohës, duke u treguar me fushat e orës nga të katra anët.
Aktualisht kulla e sahatit është në gjendje të mirë, por gjithsesi është shumë e rëndësishme që monumenti të mirëmbahet në mënyrë të vazhdueshme. Kështu ruhet gjendja ekzistuese e burimit të trashëgimisë nga shkatërrimi apo ndryshimi[44], pra konservohet. Punimet e fundit me karakter mirëmbatjeje janë kryer në vitin 2012[45].

Vizatimi i vitit 1848 – analizë

EDWARD LEAR

Në studimin mbi kalanë e Elbasanit të Gjirak Karaiskajt është shfaqur mendimi, se në vendin ku ndodhet kulla e sotme ekzistonte një sahat i vjetër me konstruksion druri, siç e gjykon ai nga Çelebiu qysh prej fillimit të shek. XVII[46]. Ndërsa sipas Sulejman Dashit në të njëjtin vend janë ndërtuar rradhazi tri kulla[47].
Dokumentimi më i vjetër i saktë i kullës së sahatit është vizatimi i realizuar nga Edward Lear më 26 Shtator 1848, ku përveç pazarit dhe njerëzve me veshje karakteristike në sheshin e tij përfshihen dhe dy objekte të cilët zhvillohen në vertikalitet, minareja e xhamisë dhe kulla e sahatit (fig.12).
Për të shmangur çdo hamëndësim që është apo jo kullë sahati dhe hamëndësime të tjera rreth pozicionimit dhe vendndodhjes së tij, apo çdo mendimi tjetër lidhur me vizatimin e Lear mbi këtë vepër arkitektonike, po ofrojmë një vizatim tjetër realizuar në vitin 1925 nga Jan Gordon (fig.13), por edhe një foto të vjetër (fig.14), ku në të tri rastet këndvështrimi është pothuajse në të njëjtën pozicion. Nëpërmjet krahasimit pamor del qartë se vizatimi i Lear dhe konkretisht vepra ndërtimore që paraqitet në të djathtë të tij është pikërisht kulla e sahatit. Përveç kësaj analize kemi dhe faktin e pakundërshtueshëm ku në brendësi të vizatimit mbi datën e realizimit të tij dhe emrit të qytetit kemi shënimin në anglisht “clock tower” (fig.15), në shqip “kulla e sahatit”. Pra, përpara se të ndërtohej kulla e sahatit e vitit 1899, ka pasur një tjetër kullë sahati në atë formulim arkitektonik siç ofrohet prej vizatimit të E.Lear.
Duke vrojtuar me kujdes vizatimin e Lear-it, kemi arritur të nxjerrim në pah dy elementë, të cilët të çojnë në të njëjtin përfundim, se kulla e sahatit mund të jetë prej druri. Këto elementë janë: mënyra e trajtimit të lapsit mbi letër, ku Lear materializon drurin dhe shënimi i tij në brendësi të veprës “clock tower blue gray boards” (shih fig.15), pra në shqip “dërrasa blu në gri të kullës së sahatit”. Pavarësisht se në vizatimin e Lear-it nga këndi i shikimit nuk duket pjesa e poshtme e kullës së sahatit, kjo për arsye të ndërtimeve para tij dhe gjelbërimit të dendur, logjika të çon në arsyetimin se ajo do të ketë qenë e realizuar me material prej guri për arsye qëndrueshmërie, pra konstruktive dhe sipër saj me konstruksion druri (fig.16 a). Kjo punë kërkimore e ngritur mbi bazën e të dhënave burimore, materialeve dokumentare konkrete, dhe studimit në thellësi e gjerësi të monumentit, vërteton hamendësimin e Gjirak Karaiskajt, se përpara kullës së sotme të sahatit ka pasur një tjetër prej druri. Raste të kësaj zgjidhje arkitektonike me propocione të goditura muraturë guri – konstruksion druri kemi kullat e sahatit të Pejës, Mitrovicës, Vushtrrisë, Tetovës, Ohrit, Strugës, Kosturit etj, ku disa prej tyre ashtu si në rastin e kullës së sahatit në kalanë e Elbasanit nuk i kanë rezistuar kohës.

Përfundimi

Duke gjurmuar dhe studiuar sistematikisht kullat mesjetare të sahatit në trojet shqiptare, krahasimisht dhe ato të Ballkanit, zbulimet gjenerojnë në vazhdimësi të dhëna të reja. Ato na ndriçojnë të panjohurat e arkitekturës dhe informacione të tjera datuese. Rasti konkret solli zbulimin e një tjetër kulle sahati të ndërtuar në fillim të viteve ‘40 të shek. XIX (ku u njohëm me arkitekturën dhe karakteristikat e saj të ndërtimit), e cila ishte ndërtuar në të njëjtin vend me kullën e sahatit (rindërtim i vitit 1899) që trashëgojmë sot (fig.16 ab).
Megjithatë, studime të tjera në të ardhmen do të ndriçojnë dhe plotësojnë kuadrin historik e arkitektonik me të dhëna dhe materiale të reja dokumentare faktike, duke na njohur kështu edhe me arkitekturën e shek. XVII të kësaj pasurie ndërtimore në qytetin e Elbasanit, si pasqyrë e rritjes, zhvillimit dhe rolit të qyteteve shqiptare gjatë asaj kohe.

BIBLIOGRAFIA

Arkivi i Institutit të Monumenteve të Kulturës – Tiranë, Situacion përfundimtar punimesh, Objekti: Mirëmbatja e kullës së sahatit në Elbasan, Dosja nr.360, Elbasan, 03.10.2012.

Acun, Hakki., Osmanli İmparatorluğu Saat Kuleleri, Ankara: Ataturk Kultur Merkezi, 2011.

Bérard, Victor., La Turquie et l’hellénisme contemporain,Paris: Félix Alcan, 1893, reprint 1911.

Bevapi, Kujtim., Lazareni, Ali., Koburja, Reshit., Plangarica, Tomor., Sarja, Zeqir., Elbasani – Enciklopedi, Elbasan: Sejko, 2003.

Boué, Ami., Recueil d’itinéraires dans la Turquie d’Europe, Détails géographiques, topographiques et statistiques sur cet empire, Vienne, 1854.

Buharaja, Vexhi., “Rreth mbishkrimeve të fortesës së Elbasanit”, Studime historike, 1-1967, Tiranë, 1967.

Çoku Dritan., “Kulla e sahatit në kalanë e Prezës”, Monumentet, 56/2017, Tiranë: 2017.

Çoku, Dritan., “Kalaja e Kaninës, Misteri i kullës së sahatit, ja gjurmët e mbetura në dokumenta”, gazeta “Shqiptarja.com”, suplementi “Rilindasi”, 31 Maj 2015.

Dashi, Sulejman., “Kullat mesjetare të sahatit në vendin tonë”, Monumentet, 12,1976, Tiranë: Mihal Duri, 1976.

Dervishi, Dhil-li Ibni Muhamet (Evlija Çelebi)., Shqipëria para tre shekujsh, Enciklopedi shqiptare e mesjetës, botim i plotë, Tiranë: Besa 2000, 2000.

Elsie, R., Historical Dictionary of Albania, Second Edition, Lanham • Toronto • Plymouth, UK: The Scarecrow Press, Inc., 2010.

Elsie, Robert., Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries, 2003.

Elsie, Robert., Texts and Documents of Albanian History,

http://www.albanianhistory.net/1875_Dozon/index.html

Feilden, M. Bernard., Jokilehto, Jukka., Udhëzues për menaxhimin e trashëgimisë kulturore botërore, Tiranë: Gent Grafik, 2010.

Frank, Mark., The evolution of tower clock movements and their design over the past 1000 years, 2013.

Furat, Zişan. Ayşe., Er, Hamit., Balkans and Islam: Encounter, Transformation, Discontinuity, Continuity, Cambridge Scholars Publishing, 2012.

Hahn, Georg von Johann., Studime shqiptare, Tiranë: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, pa vit botimi.

Hecquard, Hyacinthe., Histoire et description de la haute Albania ou Guegarie, Paris, 1858.

Karaiskaj, Gjirak., 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë: Pegi, 2016.

Karaiskaj, Gjirak, “Kalaja e Elbasanit”, Monumentet, 1,1971, Tiranë, 1971.

Kiel, Machiel., Arkitektura osmane në Shqipëri 1385-1912, Tiranë: AIITC, 2012.

Leake, Martin William., Travels in Northern Greece, Vol 1, London: J.Rodwell, New Bond Street, 1835.

Lear, Edward., Journals a landscape painter in Albania, & C., London: Richard Bentley, 1851.

Meksi, A., Baçe, A., Riza, E., Karaiskaj, Gj., Thomo, P., Historia e arkitekturës në Shqipëri, Tiranë: Kristalina KH, 2016.

Meksi, Aleksandër., Arkitektura e xhamive të Shqipërisë (shekujt XV – XIX), Tiranë: UEGEN, 200

Mitrojorgji, Maksim., Mitrojorgji, Joli., “Elbasani – Identiteti i humbur i një qyteti”, Monumentet, 52/2011-2014, Tiranë: Borava, 2014.

Mitrojorgji, Joli., “Pazaret – Vështrim mbi morfologjinë urbane dhe strukturën e tyre hapësinore”, Monumentet, 56/2017, Tiranë: Morava, 2017.

Pouqueville, M.D. F.C.H.L., Travels in Epirus, Albania, Macedonia, and Thessaly, London: 1820.

Prashniker, Kamilo., Shober, Arnold., Kërkime arkeologjike në Shqipëri de Mal të zi, Tiranë: Pegi, 2003.

Shehu, Gani Xhevat., Tepelena, pa vit botimi.

Shkodra, Zija., Esnafët shqiptarë (shek.XV-XIX), Tiranë, 1973.

Shkodra, Zija., Qyteti shqiptar gjatë rilindjes kombëtare, Tiranë: Mihal Duri, 1984.

Tozer, Henry., Researches in the Highlands of Turkey; incuding visits to mounts Ida, Athos, Olympus, and Pelion, to the Mirdite Albanians, and other remote tribes, London: John Murray, 1869.

Thomas, Seth., Tower clocks, New York: Chicago: San Francisco: Trade Mark, Nr.7, 1911.

Wagner, John., P.E., Huey, Cecil, Katie., Knaub, Volk, Eugene., Jagarwal, A., Modeling and Analysis of a Weight Driven Mechanical Tower Clock, 2010 American Control Conference, Marriott Waterfront, Baltimore, MD, USA, June 30-July 02, 2010.

TREGUESI I ILUSTRIMEVE
Fig. 1 Elbasani – Gravurë nga Hristofor Žefarović  e vitit 1742.

Fig. 2 Mbishkrimet mbi portën e hyrjes për në kullën e sahatit.  Foto: Autori, dt.09.04.2016.

Fig. 3 Gurët e peshave. Foto: Autori, dt.09.04.2016.

Fig. 4 Mekanizmi i orës & mbishkrimi në të. Foto: Autori, dt.09.04.2016.

Fig. 5 Këmbana dhe mbishkrimi. Foto: Autori, dt.09.04.2016.

Fig.6 Kalaja e Elbasanit. Planimetria. (Gjirak Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë: Pegi, 2016, f.97,  fig.108.)

Fig. 7 Kulla e sahatit në kalanë e Elbasanit. Foto: Autori, dt.09.04.2016.

Fig. 8 Porta e hyrjes për në kullë. Foto: Autori, dt.09.04.2016.

Fig. 9 Shkallët origjinale prej druri. Foto: Autori, dt.09.04.2016.

Fig. 10 Dritare të vogla si frëngji. Foto: Autori, dt.09.04.2016.

Fig. 11 Kulla e sahatit në kalanë e Elbasanit. Foto: Autori, dt.09.04.2016.

Fig. 12 Vizatimi i Edward Lear – Elbasan 26 shtator 1848.

https://ids.lib.harvard.edu/ids/view/27807510?width=2400&height=1471&html=y
Fig. 13 Skicë – Tregu i Elbasanit, Jan Gordon viti 1925.

https://galabri.com/foto/bookillu/bookillu4/gordon/gordon.jpg
Fig. 14 Foto e vjetër viti 1916 Pamje e Elbasanit nga minareja e xhamisë së Agait.

http://www.dritaislame.al/wp-content/uploads/2014/11/Elbasan-5.jpg
Fig. 15 Shënimi i Lear-it – Clock tower blue gray boards – Vizatimi, Elbasan 26 shtator 1848.

Fig. 16 Kulla e sahatit në kalanë e Elbasanit – Pamje në perspektivë. Skicoi: Dritan Çoku.

TAB. I. Kulla e sahatit në kalanë e Elbasanit. Gjendja ekzistuese – Pamja perëndimore, Prerja 1-1, Planimetritë A-A; B-B; C-C; D-D & çatia Shk.1:100. Përpunoi: Dritan Çoku.

TAB.II. Kulla e sahatit në kalanë e Elbasanit. Gjendja ekzistuese – Pamja jugore, Planimetritë A-A; B-B; C-C; D-D & Çatia Shk.1:100. Përpunoi: Dritan Çoku.

TAB.III. Kulla e sahatit në kalanë e Elbasanit. Gjendja ekzistuese – Pamja lindore, Planimetritë A-A; B-B; C-C; D-D & Çatia Shk.1:100. Përpunoi: Dritan Çoku.

TAB.IV. Kulla e sahatit në kalanë e Elbasanit. Gjendja ekzistuese – Pamja veriore, Planimetritë A-A; B-B; C-C; D-D & Çatia Shk.1:100. Përpunoi: Dritan Çoku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu