Kërkesa për një përjashtim për të lejuar Novak Gjokoviç, i cili nuk është vaksinuar kundër Covid, të hyjë në Shtetet e Bashkuara është refuzuar. Organizatorët e Indian Wells Masters 1000 kanë zyrtarizuar kështu mungesën e kampionit serb, i cili për të njëjtën arsye do të detyrohet gjithashtu të mungojë edhe në turneun e radhës në Miami.
Nuk ka Indian Wells Masters 1000 për Novak Gjokoviç. Kampioni serb, siç dihet, nuk është vaksinuar kundër Covid dhe nuk do të mund të hyjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mungesa zyrtare ka mbërritur në llogarinë në Instagram të turneut në Kaliforni, i cili do të nisë të mërkurën më 8 mars me ndeshjet e shortit kryesor. Numri një i botës do të zëvendësohet nga tenisti gjeorgjian Nikoloz Basilashvili.
Gjokoviç, javët e fundit, kishte kërkuar një përjashtim të veçantë nga autoritetet amerikane. Një përjashtim i cili, megjithatë, nuk iu dha dhe që, për rrjedhojë, do ta pengojë fituesin e 22 herë Grand Slam-it të marrë pjesë edhe në Masters 1000 të tjerë amerikan në Miami, Florida, duke filluar nga 19 marsi i ardhshëm dhe ku,për momentin , ai është ende i regjistruar.