Me rezultat të barabartë 2-2 është mbyllur sfida e fundit e grupit F të ‘Euro 2020’ ndërmjet Portugalisë dhe Francës që u zhvillua në Puskas Arena.

Padyshim se vëmendja e gjithë futbolldashësve ishte në Puskas Arena, ku luajtën kampioni evropian dhe kampioni botëror.

Me rezultat të barabartë (1-1) u mbyll pjesa e parë, në të cilën protagonistë ishin Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema.

Portieri Hugo Lloris e grushtoi Danilon dhe gjyqtari vendosi për njëmbëdhjetëmetërsh. I saktë nga pika e bardhë ishte njeriu i rekordeve, Cristiano Ronaldo (31’).

Në minutat shtesë u akordua penallti edhe për francezët, të cilën e konvertoi në gol Karim Benzema (45’+2).

Me të filluar pjesa e dytë (47’) Franca gjeti golin sërish.

Paul Pogba me një pasim të bukur e vë para portës Benzeman, i cili me një goditje të shkëlqyer shënoi për përmbysjen e rezultatit.

Nuk vonoi reagimi i CR7, i cili nxori një penallti dhe më pas e konvertoi në gol (60’) nga pika e bardhë.

Pas dramës në ndeshjet e fundit në Grupin F, nga vendi i parë kualifikohet Franca (5 pikë), nga vendi i dytë Gjermania (me 4 pikë) dhe Portugalia nga vendi i tretë (4 pikë).