Familja Glazer thuhet se po kërkon para të çmendura për të shitur pronësinë e klubit të madh anglez, Manchester United.

Sipas medias britanike Daily Star, Glazers kanë kërkuar një çmim të madh prej nëntë miliardë stërlinash apo 10.3 miliardë euro për shitjen e Djajve të Kuq.

Është një shifër e jashtëzakonshme duke marrë parasysh blerjen më të shtrenjtë të klubit sportiv ndonjëherë, kur Denver Broncos u morën nga Walton-Penner Group për rreth 4.2 miliardë stërlina në fillim të këtij viti.

Megjithatë, familja Glazer nuk është e gatshme të ndajë rrugët me Unitedin nëse nuk marrin një ofertë kaq të madhe, ndërsa publikisht ata vazhdojnë të këmbëngulin që klubi të mos jetë në shitje. Një shitje prej 9 miliardë stërlinash, më shumë se dyfishi i çmimit të blerjes së Broncos, do ta bënte Unitedin skuadrën sportive më të vlerësuar në botë.

Aktualisht, Dallas Cowboys janë klubi sportiv më i lakmuar me një vlerë prej rreth 7.2 miliardë stërlina. Më pas New England Patriots vlerësohen në rreth 5.7 miliardë stërlina, ndërsa klubi i bejsbollit New York Yankees vlerësohet në 5.3 miliardë stërlina.

Skuadra më e shtrenjtë e futbollit aktualisht është Real Madridi, me vlerë 4.6 miliardë stërlina. Rivalët e La Ligës, Barcelona janë të dytit në listë me 4.5 miliardë stërlina, ndërsa Mancheste Unitedi vlerësohet i treti me 4.1 miliardë stërlina. Më pas Liverpooli është klubi i katërt më i vlerësuar në boten e futbollit me vlerë 4 miliardë stërlina, ndërsa klubi gjerman, Bayern Munchen plotëson top-pesëshen me 3.9 miliardë stërlina.