Prokurorët e komisioneve disiplinore të Federatës Italiane kanë mbyllur zyrtarisht etapën e parë të çështjes së manipulimit të bilanceve nëpërmjet mosdeklarimit të rrogave, atë të përcaktimit nëse ka pasur apo jo shkelje nga Juventusi sipas tyre. Mediat italiane bëjnë të ditur se bardhezinjve dhe ish-drejtuesve të klubit u është komunikuar zyrtarisht akuza e “mungesës së drejtësisë” në zbatimin e rregullores.

Kjo është pjesa e dytë e hetimit rreth Juventusit që lindi pasi Prokuroria e Torinos dërgo në Federatën Italiane dokumentet e çështjes “Prisma” ku hetohej klubi për mashtrim financiar. Drejtësia sportive, ndau dosjen në dy pjesë, duke vendosur te e para çështjen e plusvalencave që i hoqi 15 pikë bardhezinjvë, ndërsa në të dytën manovrën me rrogat e padeklaruar dhe pagesën për shumë vite të menaxherëve të lojtarëve edhe pse ata nuk i kryenin shërbime.

Tani Juventusi dhe ish-drejtuesit kanë 15 ditë kohë që të përgjigjen zyrtarisht mbi pranimin apo jo të akuzave dhe paraqitjen e mbrojtjes ndaj tyre, para se të caktohet data e gjyqit për këtë çështje të dytë. Sipas mediave italiane, shumë gjëra do të varen nga mënyra se si vendoset në Këshillin e Garancisë në Komitetin Olimpik rreth çështjes së plusvalencave, pasi për të akuzuar Juventusin për shkeljet edhe në çështjen e rrogave të padeklaruara, kanë përdorur të njëjtin nen të rregullores si për plusvalencat, duke lënë të hapur çdo mundësi ndëshkimi.