Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, e ka cilësuar një turp atë që ishte bërë me buxhetin e caktuar për sportin. Pakësimi i resurseve financiare për sportin pengonte zhvillimin e tij dhe zgjidhja e vetme sipas Yllit, ishte rikthimi i kompanive të basteve, me të ardhurat që përfitonte shteti, të cilat të shkonin në funksion të sportit.

“Sot në zyrën time kanë qenë mbi 20 federata. Buxheti i sportit është ulur në mënyrë drastike këtë vit është diçka katastrofale. Është ulur me 1 miliard lekë. Do mblidhemi dhe t’i bëjmë të ditur qeverisë, se ky që kanë bërë me buxhetin e sportit është një turp. Unë nuk e filloj projektin, nëse qeveria nuk i kthen dinjitetin sportit. Nuk ka para qeveria?! Le të hapen bastet sportive atëherë, që lulëzojnë në këtë moment. Greqia ka, Italia ka. Duhet të bashkohemi që t’i bëjmë presion qeverisë, për t’i dhënë sportit atë që meriton. Kjo nuk i falet as parlamentit, asnjërit, që e ulën buxhetin me 1 miliard lekë. Nuk e kuptoj se çfarë ka ndodhur. Do detyrohen të na i kthejnë ato lekë. Ne nuk duam të bëjmë grevë, që të na dëgjojë qeveria. I duam si partnerë. Duam të na dëgjojë, të na thotë se kompanitë e basteve do i hapin. Buxheti do rritet kur qeveria t’i thërrasë mendjes dhe të hapë kompanitë e basteve. Buxhetet janë mjerane dhe ne nuk mund të bëjmë dot sport me këto. Sportin e lehtëson vetëm hapja e kompanive të basteve”, – ishte deklarata e Fidel Yllit.