E dyshuar edhe më parë për spiunazh? Rusja që tentoi të hynte në Uzinën e Gramshit: Nuk më paguajnë agjencitë e inteligjencës. Rri për turizëm në një hotel të Elbasanit.

“Nuk mund të themi nëse bëhet fjalë për disa blogerë apo agjentë të huaj.” Kështu u shpreh paraditen e së dielës ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, rreth “vizitës” së dy rusëve dhe një ukrainasi në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.

Pasi tentuan të fotografonin në zonë të ndaluar ushtarake, shtetasit e huaj lënduan po ashtu edhe dy ushtarakët që ishin roje në Uzinë. Pas incidentit ata u vunë në pranga dhe tashmë po hetohen si të dyshuar për spiunazh. Megjithatë, duke folur për autoritetet, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin 23-vjeç kanë thënë që ata janë blogerë dhe se fotot dhe videot i bëjnë për t’i shpërndarë në mediat e tyre sociale.

Por, mesa duket, kjo nuk është hera e parë që 33-vjeçarja ruse akuzohet për spiunazh. Në një postim të bërë një vit më parë, ajo sqaron se blogu i saj nuk sponsorizohet nga ndonjë inteligjencë e huaj. Përkundrazi, thotë ajo, paratë për biletat, udhëtimet dhe pajisjet me të cilat filmon, i nxjerr nga xhepi i saj. Sipas asaj që thotë Svetlana, këtë punë ajo e bën prej 15 vitesh.