Nicolo Zaniolo (1999) pritet të kompletojë brenda ditës së nesërme transferimin te gjiganti turk Galatasaray.

Sulmuesi italian është pajtuar me një transferim në Stamboll dhe Galatasaray ka bërë tanshmë ofertën zyrtare, bile ka prenotuar edhe testet mjekesore.

Verdhekuqtë kanë bërë një ofertë zyrtare prej 18 milionë eurosh fikse plus bonuse deri në 4 milionë euro, pra në total deri në 22 milionë euro, ofertë që po shqyrtohet nga gjiganti italian Roma, e cila shpresonte të fitonte po aq sa i ofroi Bournemoth pra 35 milionë euro.

Nga ana tjetër Zaniolo thuhet se është pajtuar me kontratën e tij ku Galatasaray i ka ofruar pagë prej 3,5 milionë euro në sezon.

Se duan transferimin e talentit të madh italian e ka konfirmuar edhe trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk.

“Zaniolo është një lojtar i klasit botëror. Do të donim ta kishim në skuadër. Kur isha në Basaksehir ai na tregoi cilësitë e tij në një ndeshje kundër nesh. Do të doja ta shihja atë në ekipin tim, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”,-  deklaroi trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk.

Orët e ardhshme janë vendimtare për të ardhmen e Zaniolos, por duket se talenti italian ka vendosur të transferohet në Turqi në të kundërtën do të mbetet deri në qershor pa luajtur pasi Roma e ka përjashtuar nga projekti teknik.