Alessandro Bastoni dhe Simone Inzaghi janë dënuar pas një sherri në fund të derbit të Milanos, ndërsa Lautaro Martinez është gjobitur.

Gjyqtari i Sportiv e ka pezulluar mbrojtësin e Interit për dy ndeshje, që do të thotë se ai do të humbasë ndeshjen e ardhshme kundër Napolit në “Stadio Maradona”.

Bastoni u zëvendësua pas 82 minutash, por u përfshi në një përplasje me Theo Hernandez, i cili kishte marrë një karton të kuq direkt në minutat e fundit të lojës.

Gjyqtari sportiv shpjegoi se Bastoni është pezulluar për shkak të ofendimeve të tij të përsëritura ndaj një prej ndihmësve të gjyqtarit.

Edhe trajneri Simone Inzaghi u pezullua për një ndeshje për të njëjtën arsye, ndonëse trajneri kishte në shënjestër gjyqtarin brenda dhomës së zhveshjes. Trajneri i Nerazzurrëve u gjobit gjithashtu edhe me 15 mijë euro.

Lautaro Martinez ishte gjithashtu i përfshirë në sherr dhe u akuzua nga mediat antiinteriste se sulmuesi argjentinas pështyn Theon ndërsa mbrojtësi i Milanit ishte rrugës për në dhomën e zhveshjes, por nga videot nuk u vërtetua një gjë e tillë.

Megjithatë, Lautaro është liruar nga akuzat dhe është gjobitur me 10,000 euro.

Theo Hernandez u dënua me një ndeshje dhe u gjobit me 5,000 euro pasi mori një karton të kuq direkt.

Futbollisti i Romës, Nicolò Zaniolo, u dënua me një ndeshje pasi u përjashtua në ndeshje me Genoan.