Atletico Madridi ka arritur të marr një fitore të madhe me përmbysje ndaj Barcelonës me rezultat 3-2 në ndeshjen gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës, duke iu bashkuar Real Madridit në finale.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të katalunasve, të cilët patën posedimin dhe rastet, ndërsa Atletico luajti me kundërsulmeve.

Gjithsesi pjesën e parë skuadrat nuk arritën të shënonin dhe pati mjaft tension dhe 4 kartonë të verdhë.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e hapur dhe kjo e tregon edhe golat e shpejtë dhe të shumtë që u shënuan në këtë pjesë.

Atletico ishte e para që gjeti golin në minutën e 46-të me anë të Koke, i cili shënoi për 0-1 pas vetëm 18 sekondave në fushën e lojës.

Barcelona arriti të kthehet shpejt në lojë duke barazuar 1-1 me anë të Lionel Messi (51’) që shënoi një gol të bukur, ndërsa Antoine Griezmann (62’) kaloi Barcelonën në epërsi 2-1.

Messit iu anullua një gol pasi e mori topin me dorë dhe Gerard Pique iu anullua një tjetër për pozicion jashtë loje të Vidali nga VAR.

Skuadra e Diego Simeones arriti të barazojë rezultatin me anë të Alvaro Moratas (82’) nga penalltia për 2-2, ndërsa Angel Correa (86’) shënoi për 2-3 pas një kundërsulmi.

Deri në fund të ndeshjes, Barcelona tentoi disa herë të barazojë rezultatin, por pa pasur sukses pasi Atletico u mbrojt mirë dhe mori një fitore të madhe.

Në finale, Atletico do të përballet me Real Madridi, i cili mposhti 3-1 Valencian në gjysmëfinalen tjetër të Superkupës së Spanjës.