Manchester City raportohet se ka arritur një marrëveshje për transferimin e sulmuesit Erling Haaland (2000) në afatin kalimtar të verës.

Sipas “SportsMail”, sulmuesi norvegjez ka zgjedhur kalimin te kampioni në fuqi anglez.

Mes palëve thuhet se janë diskutuar tashmë kushtet dhe Manchester City është gati për të nënshkruar.

Haaland ka një klauzolë lirimi prej 63 milionë stërlinash (75 milionë euro) në kontratën e tij me Borussia Dortmundin, ndërsa agjenti i lojtarit, Mino Raiola, do të fitojë gjithashtu një shumë të konsiderueshme.

Këto tarifa, plus një bonus nënshkrimi, thuhet se do t’i kushtojnë “Qytetarëve” 100 milionë stërlina (120 milionë euro)

Financat thuhet se janë të përballueshme për Manchester Cityn, i cili e ka bërë 21-vjeçarin prioritetin numër një për afatin e verës. Sipas mediave angleze klubi anglez do t’i garantojë një pagë prej 20 milionë stërlinash (24 milionë euro) në sezon.

Barcelona dhe Paris Saint-Germain po tregojnë interesim gjithashtu për reprezentuesin e Norvegjisë, por rivali kryesor i Cityt besohet se është Real Madridi, i cili thuhet se do të vazhdojë të luftojë për transferimin e Haalandit.

Megjithatë, klubi nga Manchesteri është më afër për të siguruar shërbimet e njërit prej sulmuesve më të mirë në botë

Babai i Haaland, Alfie, kaloi tre vjet te Manchester City dhe familja ende raportohet se ka një lidhje të fortë me klubin anglez.