Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino ngre zërin pak orë nga starti i Botërori në Katar, gjatë një konference për shtyp inauguruese të turneut duke iu përgjigjur kritikave për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe diskriminimin:

“Sot ndihem nga Katari, ndihem arab, ndihem afrikan, sot ndihem homoseksual, sot ndihem i paaftë dhe punëtor emigrant.

Ajo që po ndodh aktualisht është thellësisht e padrejtë.

Për atë që ne europianët kemi bërë në 3000 vitet e fundit duhet të kërkojmë falje për 3000 vitet e ardhshme, para se t’u japim mësime morale të tjerëve.

Këto mësime morale janë thjesht hipokrizi.

Mbaj mend prindërit e mi, të cilët si emigrantë punonin shumë, në kufi, kërkonin punë në Zvicër. Kur mbërrita në Doha m’u kujtua fëmijëria dhe thashë: Kjo nuk është mirë, duhet të bëjmë diçka. Zvicra është një shembull i gjithëpërfshirjes.

Edhe Katari ka bërë përparime në këtë drejtim. Sigurisht që unë nuk jam nga Katari, nuk jam afrikan, nuk jam arab, nuk jam homoseksual, nuk jam punëtor emigrant… Megjithatë, e di si është të ngacmohesh, të jesh ndryshe në shkollë.

Prandaj nuk është e lehtë të lexosh komente çdo ditë për 12 vite. Ka një standard të dyfishtë. Unë jam evropian. Kush i ndihmon punëtorët migrantë? Rreth 25.000 punëtorë emigrantë kanë vdekur si rezultat i politikës evropiane të migracionit që nga viti 2014.

Në Evropë ne mbyllim kufijtë dhe nuk pranojmë punëtorë që vijnë të punojnë legalisht. Dhe pastaj ne kritikojmë Katarin. Ka një standard të dyfishtë.

Unë e di se çfarë do të thotë të jesh i diskriminuar. Në shkollë, si fëmijë, më ngacmonin sepse isha flokëkuq dhe sepse kisha skuqje në fytyrë. Ajo që po ndodh tani është thellësisht, thellësisht e padrejtë.

Personalisht mendoj se mund të mbijetojmë pa pirë birrë për tri orë, qoftë në Francë, Spanjë apo Skoci.” , – deklaroi Infantino.