Pas ndeshjes Inter-Benfica, Steven Zhang, presidenti i klubit zikaltër ka folur për Prime Video. Ja fjalët e tij:

“Të jesh në gjysmëfinale do të thotë shumë për të gjithë ne. E nisëm nga larg, me shumë njerëz që nuk kishin fituar asgjë. Jemi gati të ecim përpara. Derbi do të jetë një shans për një revansh, për historinë dhe për sezonin e kaluar. Sigurisht që jam i emocionuar që duhet ta përjetoj këtë ndeshje. Tani çdo ndeshje është një finale, pavarësisht nga kundërshtari. Në ligë duhet të bëjmë gjithçka siç bëmë në Champions League.

Ndjenjë e pabesueshme sonte, i lumtur për Correan i cili nuk kishte shënuar për një kohë të gjatë. Unë u preka për të. Ai tregoi se mund të bëjë gjithçka në fushë. Jam shumë i lumtur.

Ne punojmë për të fituar gjithçka për sa kohë që jam këtu. Ne duam të qëndrojmë në krye në çdo kompeticion: ligë, Coppa Italia dhe Champions. Ne duam finalet në çdo kompeticion. Kjo ishte puna ime dhe e të gjithë stafit.

Shitjet? Nuk po flasim me askënd për shitjen e klubit, jemi të fokusuar të ecim përpara hap pas hapi”

Ai shtoi për Sport Mediaset:

Kampionati është baza e të gjitha garave të tjera të klubit. Do të kemi tetë finale nga tani deri në fund. Çdo ditë jemi të gjithë të përfshirë në peripecitë e këtij klubi.

A ëndërroj për Champions League? Në këtë moment nuk mund ta quajmë më ëndërr”.