Nga një sondazh online ka rezultuar se një pjesë e mirë e punonjësve shqiptarë nuk shpërblehen për fundvit nga punëdhënësit përkatës. Vlerësimi i punonjësve, në këtë rast përmes shpërblimit monetar, nuk është thjesht çështje parash, por shkon përtej kësaj.
Ruajtja e një marrëdhënieje të shëndetshme punëdhënës-punonjës kërkon komunikim të ndërsjelltë dhe të hapur, si edhe veprim përmes veprave dhe jo fjalëve boshe. Një marrëdhënie e tillë njihet si “reward and recognition programme” që nënkupton shpërblimin dhe vlerësimin e punonjësve. Të gjitha kompanitë, me aq buxhet sa kanë, duhet ta bëjnë pjesë të praktikës së punës së tyre.
Kjo lloj praktike pune është një lloj qasjeje sistematike e punëdhënësit për të vlerësuar perfomancën e një individi dhe/ose të një grupi pune
Menaxherët e kompanive duhet të vendosin objektiva të vazhdueshme dhe më pas, pasi të kenë parë që janë përmbushur, të tregojnë vlerësimin e tyre ndaj punonjësve.
Në disa raste, shpërblimet mund të jepen edhe në mënyrë spontane dhe të paparalajmëruar. Kjo gjë ka të ngjarë t’i bëjë punonjësit të ndihen mirënjohës dhe të vlerësuar.
Sipas studimeve, të paktën nga ato të bëra në Mbretërinë e Bashkuar, punonjësit e lidhin motivimin në punë me stimujt finaciarë.
Bonuset janë një nxitje e shkëlqyer për t’i motivuar ata. Përgjithësisht preferohen bonuset monetare, por edhe dhuratat janë gjithashtu një zgjedhje e mirë.
Kini parasysh që nëse menaxhoni një biznes, të tregoheni specifikë dhe të drejtë. Punonjësit duhet ta dinë vazhdimisht se për cilat objektiva po punojnë dhe sa e mirë është performanca e tyre.
Ekspertët këshillojnë që shpërblimet të ndahen në nivele, në varësi të performancës, përkushtimit dhe kohëzgjatjes së punës. Një veprim i tillë vendos një standard shembullor për të gjithë të tjerët. Pra, jepini Çezarit atë që i takon Çezarit.
Shtojmë se është me rëndësi që të mos ketë favorizime të njëanshme, sepse do të demotivojnë pjesën tjetër.
Burimi: Insight for Professionals dhe Pasific Prime