Kampionati kombëtar i futbollit amator 5×5 ka mbyllur një tjetër javë të suksesshme, që ka dhuruar shumë spektakël, me gola e emocione pa fund. Në kryeqytet, futbolli luhet në shtatë zona. Sony AD ka marrë kryesimin e grupit B, pasi këtë javë mundi United Boys me rezultatin 5-1. Një tjetër ndeshje që dhuroi spektakël golash ishte ajo mes Ferraj – Kafja e Rremës, me këta të fundit që triumfuan me rezultatin 10-8, duke u ngjitur në vendin e tretë, me një pikë më shumë se Ferraj.

Sakaq, në grupin C, Vila L, në 9 javë të kampionatit ka marrë 9 fitore, duke grumbulluar në total 27 pikë. Në përballjen e kësaj jave, Vila L mundi IEBV me shifrat 12-4. Nga ana tjetër, Jata Market mposhti 5-1 Vikingët në ndeshjet e kësaj jave, duke ruajtur vendin e dytë, me tre pikë më pak se Vila L.

Edhe skuadra e Shqiponjës ruan kryesimin e grupit D, teksa pas 8 javësh ka arritur të grumbullojë 24 pikë, duke mos njohur humbje. Në ndeshjet e javës së 8-të, Shqiponja triumfoi me rezultatin 7-2 ndaj skuadrës së Tech Team. Me tre pikë më pak në klasifikim renditet Joka Dent 5×5, që këtë javë mundi Royals-in me shifrat 9-2.

Ndërkaq, në grupin E, ATS mposhti ekipin e Pastarisë me shifrat 4-2, duke ruajtur vendin e parë, ku ka grumbulluar 22 pikë në 8 javë. Në grupin F, KF Erniku Gs siguroi fitoren e radhës, teksa renditet në krye të klasifikimit me 21 pikë pas tetë javësh, teksa ndeshja më interesante e këtij grupi në këtë javë ishte ajo mes Tv Klan – Marquez Kaffee, që përfundoi me barazimin 6-6.

Edhe në grupin G, skuadra e Beautiful Albania nuk ka njohur asnjë humbje në 8 javë kampionat. Beautiful Albania siguroi fitoren e radhës, duke mundur Legjendat me shifrat 10-1, duke u renditur në krye të renditjes me pikë të plota pas 8 javësh. Një tjetër ndeshje shumë e luftuar e kësaj jave ishte ajo mes Julton – Pharma Cell, që përfundoi me shifrat 7-6 në favor të Jultonit.

Në zonën e Durrësit është mbyllur faza e parë e kampionatit në të dyja grupet. Në grupin A, kryesuesit e grupit Kismeti barazuan me rezultatin 3-3 KS1 në një ndeshje shumë të luftuar nga të dyja ekipet. Edhe pas këtij barazimi, Kismeti sërish mban vendin e parë në grup me 19 pikë, duke u shpallur kështu ‘kampion’ i dimrit në grupin A, me gjashtë fitore dhe nje barazim, teksa ndiqet nga skuadra e KS1 me 15 pikë. Sakaq, në grupin B, FJT Auto është në vendin e parë me 18 pikë pas 8 javësh, po aq sa Art-Inox i vendit të dytë, teksa në përballjen direkte mes dy skuadrave ka qenë ekipi i FJT Auto ai që ka triumfuar.

Edhe në zonën e Elbasanit ka nisur të luhet kampionati për këtë edicion. Pas dy javësh kampionat, SH.S. Kuqan, AMG Plan Studio dhe Teachers renditen në krye të klasifikimit me 6 pikë të plota.