Luciano Boçi bashkon të gjithë opozitën në Elbasan, një koalicion i gjerë me 10 parti firmosin paktin e bashkëpunimit në zgjedhje.

Deklarata e Marrëveshjes së Koalicionit:

Ne, përfaqësuesit e Partive politike firmatare të kësaj Deklarate të përbashkët, të vetëdijshëm për momentin historik që po kalon vendi në prag të zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023:
– në kushtet e dhunimit masiv të standarteve minimale të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit nga makineria shtetërore e kontrolluar prej Partisë Socialiste;
– në kushtet e përpjekjes për uzurpimin me çdo mjet të të gjitha lirive dhe të drejtave njerëzore në vend dhe përballë rrezikut të zhdukjes së pluralizmit politik në Shqipëri;
– në kushtet e abuzimit masiv me pushtetin me synim grabitjen e plotë të pasurive kombëtare të shqiptarëve;
– në kushtet e diskreditimit tërësor moral, njerëzor dhe politik të përfaqësuesve të qeverisë dhe të pushtetit vendor – si në Elbasan ashtu edhe në mbarë vendin,

Ne Përfaqësuesit e Partive politike, firmatare të kësaj Deklarate angazhohemi:

– Të mbështesim pa rezerva, plotësisht, me çdo mjet dhe mënyrë kandidatin e përbashkët të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Elbasan, z. Luçiano Boçi në zgjedhjet vendore për bashkinë e Elbasanit.
– Të punojmë krah për krah për mobilizimin shpirtëror dhe politik të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve tanë në bashkinë e Elbasanit, duke vënë në dispozicion të kësaj kauze çdo ndihmë materiale dhe morale të nevojshme, përmes pjesmarrjes së drejtpërdrejtë dhe punës së palodhur të seicilit prej nesh, në aktivitetet zgjedhore të çdo lloji.
– Të mbrojmë moralisht dhe fizikisht integritetin e zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023 duke respektuar në maksimum çdo standard demokratik dhe çdo parashikim ligjor dhe kushtetues, i cili ndihmon në përfaqësimin e drejtë dhe mbrojtjen e vullnetit të zgjedhësve.

Të bindur se me z. Luçiano Boçi partitë tona do të jenë fituese të këtyre zgjedhjeve, firmosim këtë Deklaratë të përbashkët

  • PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË
  • PARTIA E LIRISË
  • PARTIA DEMOKRISTIANE
  • LËVIZJA PËR ZHVILLIM KOMBËTAR (LZHK)
  • LËVIZJA E LEGALITETIT
  • PARTIA REPUBLIKANE
  • PARTIA AGRARE AMBIENTALISTE
  • PARTIA PËR EUROPIANIZIM DHE INTEGRIM
  • ALEANCA LIBERALE E DJATHTË
  • BALLI KOMBETAR