Elbasani ka marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë Apolonisë në javën e 4-t të Kategorisë së Parë dhe i është bashkuar Bylisit në kryesimin e kampionatit. Ashtu siç ka ndodhur edhe me Vorën pak javë më parë, verdheblutë kanë triumfuar me një përmbysje të vulosur në shtesën e ndeshjes.

Bardheblutë e nisën si mos më keq ndeshjen me një gafë të portierit që i dhuroi avantazhin Trifonit për miqtë. Vetëm një minutë më vonë, ishte Maksuti i cili dyfishoi shifrat për fierakët duke ia bërë më të vështirë ndeshjen ekipit vendas.

Por verdheblutë reaguan dhe shkurtuan diferencën falë një penalltie të Karakaçit, me fraksionin e parë të lojës që u mbyll me sulme të njëpasnjëshme të ekipit të Elbasanit,

E njëjta tablo u përsërit edhe në të dytën, me ekipi vendas që kërkonte me çdo kusht golin dhe me miqtë që mbroheshin e kundërsulmonin. Kasa ishte ai i cili barazoi shifrat me një gjuajtje mjeshtërore në minutën e 63-të të sfidës, por kjo nuk ndali sulmet e ekipit vendas.

Goli do të vinte vetëm në shtesën e takimit, kur ishte përsëri Kasa ai i cili çoi në rrjetë topin pas një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë të befasishme nga vendasit. Kaq mjaftoi për t’u dhënë këtyre të fundit 3 pikët dhe për t’i çuar në kreun e renditjes së kampionatit që i sheh ata si pretendentët kryesorë për ngjitjen.

ELBASANI 3-2 APOLONIA

18′ Karakaçi, 63′, 90’+6′ Kasa/ 4′ Trifoni, 5′ Maksuti

Flamurtari ka marrë fitoren e parë për këtë edicion. Vlonjatët mposhtën me rezultatin 2-1 Vorën në ndeshjen e vlefshme për javën e 4-të të Kategorisë së Parë.gd

Goli i parë u shënua nga Pjeshka në minutën e 27′ ndërsa në minutën e 45’+2′ Gaio u ndëshhkua me karton të kuq duke lënë me 10 lojtarë Vorën.

Në të 76′ Antoni Bej dyfishoi shifrat për Flamurtarin. Teksa dukej që sfida do të mbyllej kështu Prenga shënoi golin e vetëm për ekipin e Mërgjyshit.

Por goli i tij nuk mjaftoi dhe vlonjatët triumfuan në shtëpi duke shpëtuar edhe pankinën e Emiljano Çelës.

FLAMURTARI 2-1 VORA

27′ D. Pjeshka, 76′ Antoni Bej/ 88′ Prenga