Java e 12-të e të Kategorisë së Tretë u hap me një supersfidë.

Valbona e vendit të dytë priste AF Elbasanin kryesues dhe rezultati ishte surprizues.

Tropojanët u kanë marrë pikë verdhebluve, që kishin plot 11 fitore radhazi. Ka qenë një ndeshje e luftuar, por në fund u mbyll në shifrat 1-1.

Janë elbasanasit që gjejnë avantazhin në minutën e 23-të. Një krosim në zonë nga Hyshmeri dhe Duka shënon me kokë. Më pas, tek Elbasani ka nervozizëm dhe nuk ishte parë ndonjëherë të merreshin kaq shumë kartonë nga kjo skuadër me lojtarë profesionistë. Tre të verdhë në një minutë: Tanushi, Duka e Gava.

Në fraksionin e dytë, Valbona sulmon vazhdimisht dhe në të 67-ën Balliu barazon. Driblon dy mbrojtës dhe i vetëm me portierin nuk fal. Deri në fund ka raste, por edhe pretendime për penallti. E megjithatë, gjithçka mbyllet në “X”.

Në ndeshjen tjetër, Eagles ka mundur me shifrat 2-7 Osumin. Trajneri Blendi Gockaj veproi me zgjuarsi, teksa futi në lojë pas 23 minutash Aleks Kuçin. Ishte pikërisht ai që shënoi 5 gola.

Më pas ai ua la radhën golave të Elezit dhe Meshaj. Dimalasit shkurtuan me dopietën e Kërdhickës. Sakaq, sot zhvillohen dhe dy ndeshjet e tjera, Spartaku e Skrapari dhe Drini me Delvinën.