Vllaznia dhe Bylisi kanë ndarë pikët në “Loro Boriçi” në sfidën e javës së 27-të të Superiores.

Pjesa e parë prodhoi shumë pak raste nga të dyja ekipet, ekzaktësisht me Jonuzin për Vllazninë dhe Ruçin e Kaçorrin për Bylisin.

Ndërsa pjesa e dytë pati më shumë aksione, raste, por që asnjëra nga ekipet nuk arriti të shënonte gol.

Me këtë barazim Vllaznia pozicionohet në vendin e 4-të me 38 pikë, ndërsa Bylis në vendin e 9-të me 29 pikë.

VLLAZNIA – BYLIS 0-0

Egnatia ka siguruar një fitore shumë të rëndësishme 3-0 ndaj Kukësit në transfertë, duke vazhduar të jetë në ndjekje të skuadrave të kreut, teksa ka nxjerrë verilindorët jashtë garës për një vend në Europë.

Rrogozhinasit kanë bërë një ndeshje shumë të kujdesshme, duke u mbrojtur mirë dhe duke goditur në kundërsulm me Duamenan. Ky i fundit gjeti rrjetën me rastin e parë që iu shfaq, ndërsa në të dytën fitoi penalltinë që Xhekson e ktheu në gol.

Në fund, erdhi edhe goli i Fernando, i cili vulosi një fitore bindëse 3-0 që mban Egnatian në zonën e Europës, teksa largon thuajse përfundimisht ekipin e Hallaçit nga pretendimet për të siguruar nëpërmjet kampionatit një vend në aktivitetet ndërkombëtare.

KUKËSI – EGNATIA 0-3
44′ Duamena, 62′ (p) Xhekson , 90′ Fernando