Erzeni dhe Kukësi kanë ndarë pikët në barazimin 1-1 në ”Niko Dovana” pas një sfide e cila dhuroi emocione të shumta deri në fundin e saj.
Shijakasit ishin më ngulmues në pjesën e parë, teksa shënuan gol me Ademin por edhe goditën traversën e portës së mbrojtur nga Tafas. Në pjesën e dytë ishte Kukësi që kërkoi me shumë golin dhe iu afrua fillimisht me një penallti, por Taipi goditi shtyllën nga pika e bardhë.
Ndërsa shijakasit nuk ia dolën të mbyllnin ndeshjen edhe pse kishin disa mundësi të mira, mes të cilave edhe një tjetër traverse të Ademit, u ndëshkuan në shtesë nga Gabriel Barbosa i cili festoi me gol ditëlindjen e tij.
Kështu, ekipet ndanë pikët pa ndryshuar shumë pozitat në renditje, me shijakasit në grupin e skuadrave që pretendojnë Europën, e kuksianët që nuk gjenden shumë larg tij.
ERZENI – KUKËSI 1-1:
25′ Ademi / 90’+2′ Barbosa