Teuta ka arritur të fitojë minimalisht 0-1 ndaj Egnatias në shtëpinë e këtyre të fundit që deri tani kishte marrë statusin si “surpriza” e kampionatit.

Skuadrës durrsake i ka mjaftuar penalltia e shndërruar në gol në minutën e 80′ nga kapiteni Sherif Kallaku.

Një triumf që e kthen te fitorja skuadrën e drejtuar nga Edi Martini pas asaj humbjeje ndaj Tiranës javën e kaluar në stadiumin “Elbasan Arena”.

Me këtë sukses, Teuta ngjitet në vendin e dytë në kuotën e 11 pikëve, po aq sa Tirana e vendit të parë që pret të bëjë ndeshjen e saj ndaj Partizanit në derbi të hënën në mbrëmje.

Ndërsa Egnatia pas kësaj disfate klasifikohet në vendin e 5 në kuotën e 8 pikëve.

EGNATIA – TEUTA 0-1:
Kallaku (pen) 80′

Duhej të vinte java e 6-të që Laçi të siguronte fitoren e parë në kampionat. Kurbinasit janë ‘’ringjallur’’ pas mbërritjes së trajnerit Sero Noka duke mundur Kastriotin minimalisht 0-1.

Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadra por rastet më të pastra i takuan kurbinasve. Formacioni i hedhur në fushë nga Sero Noka u dallua që në minutat e para që kishte hyrë në fushë për 3 pikët.

Goli erdhi në pjesën e dytë në minutën 72-të, ku pas një krosimi të Roganoviç, Mazrekaj gjeti bukur cepin e portës duke u dhënë avantazhin kurbinasve. Vetëm kaq mjaftoi, që Laçi të arrinte fitoren e parë në kampionat duke dalë nga zona e ftohtë e tabelës.

KASTRIOTI – LAÇI 0-1:
Mazrekaj 71′