Laçi ka mundur 1-0 Teutën me një ndeshje me fund dramatik në “Niko Dovana” ku heroi i sfidës është bërë portieri i kurbinasve, Dajsinani.

Kurbinasit goditën dy herë traversën gjatë këtij dueli, duke i shkuar pranë golit në pjesën e parë, teksa e gjetën në të dytin me Spahiun. Teuta provoi të rrezikonte në fund dhe në ndihmë i erdhi edhe VAR-i, falë të cilit u dha një penallti për durrsakët kur regjistrohej minuta e 96-të e duelit.

Por Dajsinani neutralizoi goditjen e Hebajt nga pika e bardhë, duke i dhënë kurbinasve një sukses shumë të vlefshëm 1-0 që i largon nga fundi, teksa zhyt edhe më shumë atje ekipin durrsak.

TEUTA – LAÇI 0-1:
66′ Spahiu

Vllaznia është ndalur në një barazim dramatik me Erzenin në javën e 10-ë të Superiores.

Ishin Aralica dhe Mala të cilët shënuan për shkodranët, të cilët u barazuan më pas nga Nonato dhe Kahrimanoviç, me këtë të fundit që realizoi nga pika e bardhë në minutën e 100’ të sfidës.

Kështu Erzeni vazhdon të ruajë vendin e dytë në renditje, teksa Vllaznia ngjitet në vendin e tretë me një pikë më pak.

VLLAZNIA – ERZENI 2-2:
Aralica 54′, Mala 65′ / Nonato 75′, Kahrimanoviç (P) 90+10′

Kastrioti ka dhënë sot një provë force përballë Bylisit, duke marrë një fitore të rëndësishme ndaj ballshotëve me shifrat 3-0, që e largon nga zona e ftohtë e klasifikimit.

Skuadra krutane ka dominuar në lojën e saj dhe ia ka dalë të gjejë avantazhin që në pjesën e parë me penalltinë e Morbek, që prodhoi shumë polemika e tension edhe në tribuna. Në të dytën erdhën golat me Selmanin dhe përsëri sulmuesin brazilian, duke vulosur shifrat 3-0.

Fitorja qetëson Kastriotin, teksa zhyt më shumë Bylisin i cili e sheh veten në zonën e ftohtë të klasifikimit.

KASTRIOTI – BYLIS 3-0:
Morbek 36′ (p), 80′ , S. Selmani 56′