Kukësi arriti të triumfonte me përmbysje 3-1 ndaj Kastriotit në sfidën e zhvilluar në “Elbasan Arena”. Falë këtij triumfi, skuadra e drejtuar nga italiani Diego Longo, ka arritur të marrë komandën e kampionatit në këtë javën të dytë. Verilindorët janë ekipi i vetëm që kryesojnë me pikë të plota, pas triumfeve në 2 javët e para, respektivisht përballë Egnatias dhe Kastriotit.

Për sa i përket ndeshjes, miqtë kaluan të parët në avantazh me Arbër Bashën në minutën e 27-të, teksa Edison Ndreca, vendosi baraspeshën, me një predhë më të majtën. Pjesa e parë u mbyll në baraspeshë totale, teksa fragmenti i dytë i lojës foli i gjithi për Kukësin, që arriti të shënonte 2 herë me kroatin Edi Basha në minutat 46 dhe 68-të.

Vlen të theksohet fakti se skuadra e Kastriotit në pjesën e dytë ishte thuajse inekzistente, duke iu nënshtruar totalisht skuadrës së Longos.

KUKËSI-KASTRIOTI 3-1   
Ndreca 39′, Edi Basha 46′, 68′  / Arbër Basha 27′ 

Tjetër barazim me shifrat 1-1 në sfidën e vlefshme për javën e dytë të Kategorisë Superiore. Egnatia e Gugash Maganit, ka marrë një pikë të artë në transfertë ndaj Tiranës, në sfidën që i pati të gjitha, golat spektakolarë, pretendimet për penallti si dhe nuk mungoi ndërhyrja e VAR-it që i “dogji” golin e fitores bardhebluve.  

Seferi hapi i pari serinë e golave në minutën e 51-të, me një predhë nga distanca. Festa e bardhebluve zgjati vetëm 6 minuta, teksa Imeri iu kundërpërgjigj Seferit me një gol “alla Insinje”.

Tirana kërkoi me ngulm golin e fitores. Në minutën e 63-të, protagonist u bë përsëri Seferi, që arriti të gjente sërish rrugën e rrjetës, teksa goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Pavarësisht përpjekjeve, bardheblutë nuk arritën të dilnin nga kjo përballje me 3 pikë.

TIRANA-EGNATIA 1-1.  
Seferi 51′,  / Imeri 57′