Ka përfunduar me emocione ndeshja mes Laçit dhe Dinamos, ku kurbinasit kanë triumfuar në shtëpi me rezultatin 2-1 ndaj bluve të kryeqytetit, e vlefshme për javën e 29-të në Kategorinë Superiore.

Sfida nisi vrullshëm me kurbinasit në avantazh pas 35 sekondash, ku Saliu Guindo ka shënuar dhe duke mposhtur portierin e dinamovitëve, Simon Simoni.

Goli i barazimit erdhi nga një debutues, 19-vjeçari, Devid Fejzulla, i cili ka ndihmuar blutë e kryeqytetit të rikthenin baraspeshën.

Ndeshja kishte ritëm dhe emocione, ku për shumë minuta u zhvillua nga porta në portë duke shpërdoruar të dyja skuadrat shumë raste që mund të shkonin në avantazh.

Në minutën e 86′ ishte Dejan Zarubica, i cili rikthehet pas shumë ndeshjesh për të luajtur duke shënuar me penallti për kurbinasit, pas kontaktit që kishte Julian Shehu me Rexhinaldon në zonë.

Kjo fitore konfirmon Laçin në vendin e dytë duke grumbulluar 50 pikë, ndërsa Dinamo nuk përfiton nga humbja e Egnatias dje ndaj Tiranës, dhe blutë aktualisht janë me një këmbë në Kategorinë e Parë, ku renditen në vendin e parafundit në kuotën e 23 pikëve, -8 nga rrogozhinasit, të cilët mbajnë pozicionin e “Play-Out”-it.

LAÇI – DINAMO 2-1:
Guindo 1′ , Zarubica 86′ (p) / Fejzulla 60′

Teuta dhe Vllaznia kanë ndarë pikët sot në Durrës në një barazim dramatik që u vendos me një gol të shënuar në minutën e 9 shtesë të takimit.

Pritej një sfidë e luftuar por në fakt ka qenë nën nivelin që pritej, pasi në pjesën e parë dy skuadrat menduan vetëm si të gjenin ndonjë hapësire me pasime nga thellësia dhe krosime nga krahët pa krijuar shumë rreziqe.

Në pjesën e dytë, Vllaznia ia doli të fitonte penallti për një prekje topi me dorë në zonë dhe Latifi kaloi në avantazh shkodranët, të cilët më pas menduan vetëm si të mbyllnin ndeshjen duke administruar këtë avantazh. Por Teuta nuk u dorëzua deri në fund dhe pikërisht në atë që ishte minuta e fundit shtesë e takimit, gjeti barazimin me Ivanoviç, duke marrë një pikë që gjithsesi nuk e largon shumë nga zona e rrezikshme e klasifikimit.

TEUTA – VLLAZNIA 1-1
90’+9′ Ivanoviç / 60′ (p) Latifi

Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola përballë Skënderbeut në kampionat, në sfidën e luajtur në Elbasan.

Korçarët e nisën më kërkues sfidën, duke pretenduar dhe për një 11-metërsh në minutat e para. Më pas gjatë pjesës së parë, Partizani pati disa raste, që nuk i shfrytëzoi si duhet.

Në pjesën e dytë, loja ishte më e mbyllur, por Skënderbeu pati disa raste të mira me Marën dhe Vrapin.

Në fund sfida u mbyll pa gola të shënuara, me skuadrat që u ndanë me nga një pikë.

PARTIZANI – SKËNDERBEU 0-0: