Partizani ka fituar me një përmbysje spektakolare ndeshjen parë të kampionatit duke i dhënë fund makthit ku prej 6 viteve radhazi nuk fitonte të parën. Të kuqtë e kanë bërë këtë përballë Egnatias e cila ndoshta meritonte më shumë nga ky duel, por është mposhtur nga një gol në shtesë i Skukës.

Të kuqtë vuajtën në pjesën e parë ku rrogozhinasit i vunë disa herë në vështirësi, teksa gjetën golin me Camajn pas një gafe në prapavijë të dyshes Menish-Rexhepi. Reagimi erdhi në pjesën e dytë kur Kolela fillo të bënte zëvendësimet me ekipin i cili reagoi dhe ngulmoi derisa gjeti barazimin i cili erdhi nëpërmjet penalltisë së Hotit.

Në fund, insistimi i Partizanit për të fituar sfidën bëri diferencën, me Skukën i cili vazhdon të jetë personazhi më vendimtar i fazës ofensive për të kuqtë, siç e tregoi edhe sot me supergolin që i dha fitoren ekipit të tij.

PARTIZANI – EGNATIA 2-1:
56′ (p) Hoti, 90’+7′ Skuka / 32′ Camaj

Erzeni ka debutuar me fitore në “Abissnet Superiore”, duke mundur në Durrës Vllazninë me rezultatin minimal 1-0.

Pjesa e parë foli vetëm për skuadrën shijakase, e cila gjeti avantazhin në minutën e 22’ me Alan Rodrigez, i cili realizoi një supergol nga goditja e dënimit.

Në pjesën e dytë, Jopsa hodhi disa lojtarë në sulm për të ndryshuar rezultatin, por pavarësisht rasteve të shkodranëve, asgjë nuk ndryshoi.

Kështu Erzeni rikthehet me një fitore pas 19 vitesh në Superiore teksa javën e ardhshnme do të ndeshet me Kastriotin në transfertë. Nga ana tjetër skuadra e Josës duhet ta harrojë sa më parë këtë humbje dhe të përgatitet për sfidën me Kukësin në shtëpi.

ERZENI – VLLAZNIA 1-0:
22’ Alan Rodrigez