Partizani ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Kukësit për të rimarrë përkohësisht kreun e renditjes nga Tirana, pak ditë para derbit ndaj bardhebluve të cilët luajnë nesër ndeshjen e tyre të javës së 14-të.
Por kjo ka qenë një ndeshje me dy tablo, pasi në pjesën e parë ishte një Partizan i cili dominoi në çdo aspekt dhe me të drejtë gjeti golat me Bitrin e Skukën, duke vendosur ndeshjen në shinat e duhura për të.
Megjithatë, ne pjesën e dytë, Kukësi ndryshoi fytyrë duke u shfaqur më agresiv dhe duke vënë në vështirësi disa herë prapavijën e të kuqve. Penalltia e Bashës rihapi duelin dhe në fund u desh që Partizani të mbrohej me shumë forca për të ruajtur avantazhin dhe për të shmangur një tjetër katastrofë si ndaj Erzenit.
Në fund të kuqtë morën tre pikët që u lejojnë të ngjiten përsëri në kreun e renditjes, ndërsa Kukësi edhe pse doli pa pikë, dha sinjale se mund të kthehet përsëri protagonist në kampionat.
PARTIZANI – KUKËSI 2-1:
25′ Bitri, 30′ Skuka / 69′ (p) Basha
Laçi ka mposhtur në shtëpi Erzenin me rezultatin 1-0, në sfidën e parë të javës së 14-të të Superiores.
Sfida nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, të cilat kërkonin avantazhin. Ai erdhi vetëm në fundin e pjesës së parë, kur kurbinasit gjetën rrjetën me anë të një penalltie të realizuar nga Ujka.
Vendasit gjetën rrjetën dhe në pjesën e dytë, por VAR-i e anuloi për një prekje të topit me dorë në fillim të aksionit.
Miqtë nuk u ndalën së kërkuari barazimi, por tentativat e tyre shkonin jashtë ose ndaleshin nga portieri Dajsinani, me këtë të fundit që shpëtoi Laçin në shumë momente.
Kështu Laçi ngjitet në vendin e pestë me 20 pikë dhe shikon t’i afrohet Europës, ndërsa Erzeni vazhdon të qëndrojë në vendin e katërt me 21 pikë.
LAÇI – ERZENI 1-0
Ujka (P) 45+3′