Fitore spektakolare e Partizanit të Dritan Mehmetit, në duelin ndaj Kukësit të zhvilluar në “Air Albania”. Të kuqtë e kryeqytetit, shkërmoqën 5-0 verilindorët e Longos, falë golave të Kallakut, Skukës, Stenio Zhunior, Gresild Likës dhe Herald Markut.

Një triumf tepër i rëndësishme ky për “demat” që vjen në prag të derbit ndaj Tiranës. Për sa i përket duelit me verilindorët e Kukësit, edhe njëherë tjetër, ishte Xhuljano Skuka, ai që spikati me penalltinë e fituar të shndërruar në gol nga Kallaku, golin e dytë të shënuar në minutën e 40-të si dhe me kombinimin fantastik te goli i tretë I shënuar nga Stenio Zhunior, për të vulosur këtë festë spektakolare menduan Gresild Lika dhe Herald Marku që u hodhën nga stoli duke lënë gjurmë me golat fantastikë të realizuar.

Kukësi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 56-të me Bruno Lulajn, por goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje milimetrik. Nuk munguan protestat ndaj gjyqtarit në këtë duel, për vendimet e tij. Me fitoren e sotme Partizani u ngjit në kuotën e 33 pikëve, duke ngushtuar diferencën në 5 pikë nga Kukësi i vendit të tretë.

PARTIZANI – KUKËSI 5-0:
Kallaku 36′ (p), Skuka 40′ , Stenio Zhunior 46′ , G.Lika 89′, H.Marku 90+3′

Tirana ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në luftën për titullin kampion në Superiore. Ekipi i Orges Shehi mundi kampionë në fuqi të Teutës me rezultatin 0-2. Taulant Seferi ishte heroi i sfidës përsëri për bardheblutë me sulmuesin që shënoi të dy golat.

Tirana nisi presingun që në fillim duke detyruar kundërshtarët që të gabonin shpesh. Madje nga një gabim erdhi goli i avantazhit. Taulant Seferi gjuajti nga jashtë zone dhe portierit Dema i shpëtoi topi nga duart. Megjithatë Teuta nuk u dorëzua dhe u hodh e tëra në sulm për të gjetur golin e barazimit. Rubin Hebaj pati një rast të mirë me kokë në minutën e 37, por topi përfundoi afër portës.

Në pjesën e dytë pati një rast të diskutueshëm në minutën e 57 me Seferin që u pengua në zonë, por arbitri nuk akordoi penallti. Tre minuta më vonë Tirana dha goditjen përfundimtare me Seferin që dribloi shumë bukur brenda zonës dhe shënoi golin e dytë personal.

Një fitore shumë e rëndësishme e bardhebluve në prag të derbit të kryeqytetit kundër Partizanit. Me këtë tre pikësh Tirana mbetet në vendin e parë me 52 pikë të grumbulluara deri më tani. Teuta nga ana tjetër ndodhet në vendin e gjashtë me 25 pikë.

TEUTA – TIRANA 0-2:
17′, 60′ Seferi