Gola, raste, penallti dhe spektakël! Kjo është pasqyra e asaj që ndodhi në “Niko Dovana”, në ndeshjen mes Teutës dhe Kukësit, e cila u mbyll në një barazim spektakolar 2-2.

Durrsakët humbasin kështu mundësinë për t’u afruar me kreun e renditjes, që mbahet nga Vllaznia. Vendasit dominuan gjithë pjesën e parë, teksa arritën të shënojnë edhe golin e avantazhit, me Dejvi Bregun, që një penallti të fituar e ktheu në gol në minutën e 35’.

Pjesa e dytë ishte me të vërtetë spektakolare, ku u realizuan plot 3 gola.

Fillimisht ishte skuadra e Josës, që barazoi shifrat në minutën e 70’ me Eze nga penalltia, por ky barazim zgjati vetëm 2 minuta, pasi Bregu realizoi një “perlë” në minutën e 72’ duke kaluar përsëri durrsakët në avantazh. Gjithsesi verilindorët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 86’ barazuan shifrat me Tsintsadze.

Teuta ndalet kështu pas 3 fitoreve radhazi në kampionat, ndërsa Kukësi merr një pikë, pas humbjes me Partizanin. Teuta shkon kështu në kuotën e 37 pikëve, aq sa Partizani i vendit të dytë, 4 më pak se Vllaznia, ndërsa Kukësi ngjitet në kuotën e 30 pikëve në vendin e pestë.

TEUTA-KUKËSI 2-2:  
Bregu 35′, 72’/ Eze 70′, Tsintsadze 86′