Tirana e mbyll gjysmën e parë të sezonit si “kampione dimri” dhe në arrati përballë ndjekësve. Skuadra bardheblu ka mundur me shifrat 2-0 Erzenin dhe tashmë sheh të shkojë në 4 pikë diferenca me ndjekësin më të afërt.

Sfida në “Niko Dovana” mes dy skuadrave ka qenë shumë e bukur, me ekipet që kërkuan me ngulm golin duke prodhuar lojë dhe raste. Shijakasit iu afruan disa herë në pjesën e parë, teksa goditën edhe traversën, ndërsa në të dytën ishte Tirana që u shfaq më konkrete dhe Gjumsi ishte ai i cili tronditi shtyllën e portës së Xhikës.

Insistimi i bardhebluve u shpërblye në fund të ndeshjes kur Krasniqi shkaktoi penallti pas një prekje topi me dorë. Hasani goditi saktësisht dhe shënoi golin e avantazhit, teksa Erzeni u hodh i gjithi në sulm. Por nga hapësirat mbrapa përfituan edhe një herë bardheblutë të cilët vulosën fitoren 2-0 me një tjetër gol të Hasanit, i cili tashmë merr statusin e “bomberit” të skuadrës pas largimit të Xhixhës.

ERZENI – TIRANA 0-2:
83′ (p), 89’+5′ Hasani

Kukësi ka fituar me përmbysje ndaj Egnatias me rezultatin 2-1.

Sfida u zhbllokua në minutën e 35’ me Fernandon nga pika e bardhë e penalltisë. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e rrogozhinasve. Por në pjesën e dytë gjithçka ndryshoi për verilindorët. Në minutën e 70’ Ndreca vendosi baraspeshën duke kthyer në lojë ekipin e tij. Por teksa mendohej se sfida do të mbyllej në barazim, Delimexhac shënoi supergolin që i dhuroi 3 pikët e para të vitit ekipit.

Me këtë fitore Kukësi renditet në vendin e 9-të me 19 pikë ndërsa Egnatia ndodhet po në vendin e 4-të me 26 pikë.

EGNATIA – KUKËSI 1-2:  
35′ Fernando (p)/ 70′ Ndreca, 86′ Delimexhac

Partizani është në krizë. Konfirmimi vjen nga rezultatet të cilat shohin për të tretën ndeshje radhazi të kuqtë që të dalin pa fitore nga fusha e lojës. Sot, ata janë mundur në shtëpi nga Teuta me shifrat 2-0 në një ndeshje ku u pa qartë varësia që kishte kjo skuadër ndaj emrave si Bitri e Skuka që u larguan në merkaton e janarit.

Të kuqtë vinin pas një humbje dhe një barazimi, teksa kërkonin të vinin në trysni Tiranën që kanë përpara në renditje, por pa emrat e rëndësishëm në mbrojtje dhe sulm lanë për të dëshiruar në të dy repartet. Edhe pse nisën me vrull sfidën, Teuta me kalimin e minutave ia doli të kontrollonte manovrën dhe gjeti golin me anë të Markut, pas një gjuajtje të shkëlqyer të tij që nuk i la kohë reagimi Hoxhës.

Pavarësisht ndryshimeve që u bënë nga trajneri Kolela, ishin përsëri durrsakët ata që gjetën rrjetën, këtë herë me penaltinë e Kallakut, duke vendosur sfidën në shinat e duhura pasi e kishin shumë më të thjeshtë të menaxhonin minutat e mbetura dhe furinë e të kuqve në fund të sfidës.

Kështu, Partizani shënon ndeshjen e tretë radhazi pa fitore e zhytet në krizë, ndërsa Teuta e sheh veten jashtë zonës së ftohtë të renditjes.

PARTIZANI – TEUTA 0-2:
40′ Marku, 63′ (p) Kallaku