Laçi ka arritur një fitore mjaft të rëndësishme në kampionat, duke mundur në shtëpi Partizanin me rezultatin 3-2, në sfidën e vlefshme për javën e 29-të.

Të parët që kaluan në avantazh ishin “demat”, të cilët gjetën rrjetën nga një penallti e shndërruar në gol nga Da Silva në minutën e 39’. Pas katër minutash ishte Guindo që rivendosi baraspeshën, që u deshën pesë minuta nga VAR-i që të akordohej si i rregullt.

Pjesa e dytë nisi me gol për kurbinasit, me Shkurtajn që nuk gaboi përballë Rexhepit në minutën e 48’. Në minutën e 56’ Sota gjeti rrjetën, por VAR-i e anuloi për pozicion të parregullt.

Në minutën e 79’ Guindo shënoi golin e tretë për skuadrën e tij dhe të dytin personal.

Supergoli i Mbas në minutën e 88’ nuk i shërbeu Partizanit për të dalë me pikë nga kjo përballje.

Kjo është fitorja e dytë radhazi për Laçin me Stavri Nicën në pankinë, duke iu bashkuar garës për Europë në vendin e 5-të me 39 pikë. Ndërsa Partizani vazhdon të qëndrojë në vendin e dytë me 48 pikë.

LAÇI – PARTIZANI 3-2:
Guindo 43′, 79′, Shkurtaj 48′ / Da Silva (P) 39′, Mba 88′

Tirana përmbys Egnatian falë Abazajt dhe nis përsëri arratinë në kryesim.

Dy golat e parë të Kristal Abazajt në Kategorinë Superiore me fanellën e Tiranës kanë ndihmuar bardheblutë në momentin ndoshta më vendimtar të këtij sezoni. Ata kanë mjaftuar për të përmbysur Egnatian në një fitore 2-1 që shtyn kampionët në fuqi edhe më shumë të vetëm në kryesim, në rrugën e mbrojtjes së titullit.

TIRANA – EGNATIA 2-1:
37′, 57′ Abazaj / 22′ Kasa

Kukësi dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në barazimin 0-0 në “Kukës Arena”, pa arritur të marrin pikë të plota që do t’i ndihmonin në renditje për objektivat që kanë të dy skuadrat.

Në fakt, barazimi ka qenë rezultati më i drejtë i ndeshjes, pas një sfide ku palët kishin më shumë frikë se mos pësonin gol dhe janë mbrojtur me shumë kujdes, duke menduar më shumë të shkatërrojnë lojën sulmuese të kundërshtarëve.

Ndaj Zogoviç dhe Tafas kanë qenë rrallëherë protagonistë në këtë duel, i cili pa dy herë verilindorët të festonin për një gol, por në të dy rastet ta shihnin të anulohej për pozicion jashtë loje.

KUKËSI – VLLAZNIA 0-0