Një gol i Esin Hakajt i ka mjaftuar Vllaznisë për t’u kthyer te fitoret duke mundur Kukësin në fushën e këtij të fundit dhe duke i ngjitur tashmë shkodranët në podiumin e kampionatit.

Shkodranët kanë triumfuar ndaj verilindorëve me një ndeshje ku kanë krijuar më shumë lojë dhe raste, teksa ia dolën që të mbanin larg portës për pjesën më të madhe të kohës ekipin vendas. Kështu, ata ngjiten përsëri në zonat e larta të klasifikimit, teksa zhytin më poshtë Kukësin e Dobit i cili është kthyer edhe një herë në krizë rezultatesh dhe tani sheh përsëri shumë afër fundin e klasifikimit.

KUKËSI – VLLAZNIA 0-1:
43′ Hakaj

Tirana ka arritur një tjetër fitore, duke mundur brenda në “Selman Stërmasi” Egnatian me rezultatin 1-0, në sfidën e vlefshme për javën e 11-të të Superiores.

Ishte goli i Patrik në minutën e 52’, i cili vendosi fatet e këtij takimit, me sfidën që eci me një ritëm vërtet të ngadaltë.

Kështu Tirana, duke përfituar dhe nga disfata e Partizanit në Laç, merr kreun e Superiores me 21 pikë, ndërsa Egnatian vazhdon në vendin e 5-ë me 15 pikë.

TIRANA – EGNATIA 1-0:
Patrik 52′

Laçi ka arritur të mposhtë Partizanin minimalisht 1-0 në shtëpi, e vlefshme për javën e 11-të në Kategorinë Superiore.

Kurbinasve u ka mjaftuar goli i Serxho Ujkës, i cili ka shënuar me një goditje dënimi falë një super asisti me kombinim të ish-it të madh të sfidës, Mentor Mazrekajt.

Kurbinasit kanë marrë fitoren e tretë radhazi, teksa aktualisht me këtë sukses, ngjiten në vendin e 6 m,e 14 pikë.

Ndërsa të kuqtë e kryeqytetit me këtë humbje e shohin veten të zbritur nga kreu i renditjes me 19 pikë, ku “demat” parakalohen nga Tirana.

LAÇI – PARTIZANI 1-0:
Ujka 17′