Vllaznia i ka dhënë fund krizës së rezultateve teksa ka gjetur tre pikët në ndeshjen e fundit të vitit 2022 duke mundur me shifrat 4-0 skuadrën e Teutës.

Shkodranët kishin tre ndeshje radhazi pa fitore, por edhe pa gjetur rrugën e rrjetës, por i kanë gjetur të gjitha në sfidën e sotme, duke iu bashkuar grupit të skuadrave që luftojnë për zonën e Europës e jo vetëm.

Pavarësisht minutave të parë të mirë të Teutës, Vllaznia gjeti golin me aksionin e parë të rrezikshëm, duke shënuar me Hakajn, gjë që ia bëri më të thjeshtë ndeshjen. Mala më pas fitoi penallti dhe Kaina shënoi nga pika e bardhë duke vendosur nën trysni Teutën që nuk ia doli më të gjejë hapësira për të rrezikuar Zogoviç.

Një tjetër penallti e fituar nga Mala dhe e transformuar nga Hoxhaj, si dhe kartoni i kuq i Kotobellit, vulosën fatin e kësaj sfide. Në fund, Kaina plotësoi dygolëshin personal për të çuar shifrat në 4-0, duke i dhënë shkodranëve tre pikë të rëndësishme për klasifikimin, teksa kthejnë përsëri në fundin e renditjes skuadrën durrsake.

VLLAZNIA – TEUTA 4-0:
20′ Hakaj, 37′ (p), 90′ Kaina, 72′ (p) Hoxha

Sfida e javës së 15- të mes Erzenit dhe Bylisit është mbyllur në barazim. Skudrat janë mjaftuar më një pikë në stadiumin “Niko Dovana”.

Një ndeshje shumë e zjarrtë e cila nisi me vonesë për shkak të një incidenti të ndodhur me autobusin e Bylisit. Sfida u zhbllokua në minutën e 32′ nga Muçollari. Ai arriti të shënojë një supergol në zonë pas një asisti. Pjesa e parë u mbull me avantazhin e miqve.

Në pjesën e dytë ballshiotët patën disa mundësi të mira por nuk arritën të finalizojnë. Teksa dukej që sfida do të përfundonte me fitoren e miqve, shijakasit rikthejnë baraspeshën. Në minutën e 83′ Sadiki realizon një gol të bukur me kokë pas asisit të Kahrimanoviçit. Kështu sfida u mbyll në barazimin 1-1. Erzeni renditet në vendin e 4-ët me 22 pikë ndërsa Bylisi në të 8-in me 16 pikë.

ERZENI – BYLIS 1-1:
83′ Sadiki/ 32′ Muçollari

Egnatia ka arritur të fitojë me rezultatin 3-2 në stadiumin e Kamzës përballë Kastriotit, në një sfidë spekatakolare në javën e 15-të.

Të parët që kaluan në avantazh ishin rrogozhinasit, të cilët gjetën rrjetën me një penallti të shndrruar në gol nga Xhekson në minutën e 31’. Por vetëm 5 minuta më vonë, ishte Santiago Selmani i cili rivendosi baraspeshën. Gjërat u vështirësuan për miqtë, të cilët e panë veten me 10 lojtarë në fundin e pjesës së parë, pas daljes me karton të kuq nga Agbekpornu.

Në pjesën e dytë, ishte Hasani i cili me një supergol kaloi në avantazh krutanët, në minutën e 57’. Por në harkun e 8 minutave, ishin Fernando dhe Delarzh që përfituan nga gabimet e mbrojtjes krutane për të përmbysur çdo gjë.

Kështu Egnatia e mbyll vitin 2022 në vendin e tretë në renditje me 24 pikë, ndërsa Kastrioti vazhdon të qëndrojë në luftën për mbijetesë në vendin e 7-ë, me 18 pikë.

KASTRIOTI – EGNATIA 2-3:
S. Selmani 36′ , Hasani 57′ / Xhekson (P) 31′, Fernando 61′ Delarzh 65′