Te Juventus-i janë në krizë: pas dëmtimit të Pogba, listës së mesfushorëve që Massimiliano Allegri nuk do t’i ketë në dispozicion për fillimin e kampionatit i bashkohet edhe McKennie.

Amerikani kishte nisur stërvitjen verore pas një rruge rehabilitimi për shkak të frakturës në metatarsin e majtë të pësuar në ndeshjen e parë të Champions League kundër Villarreal-it. Kundër Real Madrid-it, megjithatë, Allegri kishte deklaruar se McKennie do të debutonte zyrtarisht këtë sezon me fanelën bardhezi.

Debutim që nuk mbërriti: mesfushori në fakt jo vetëm që nuk e nisi kundër Blancos, por nuk u fut as në pjesën e dytë.

Pas ndeshjes, Juventus-i bëri të ditur arsyen pse McKennie nuk mori pjesë në ndeshjen kundër Real Madrid-it: dislokim në shpatull.

Stafi mjekësor ka ndërhyrë menjëherë për të aplikuar një reduktim të vetë dislokimit, pra tentohet të kthehet koka e humerusit në pozicionin e tij normal, në kontakt me kavitetin glenoid. Kjo i lejon lojtarit të reduktojë dëmtimin që zhvendosja shkakton në strukturat vaskulare dhe nervore.

Shumë faktorë ndikojnë në kohën e rikuperimit, duke përfshirë moshën dhe gjendjen fizike. Për McKennie-n, pra, do të ishte një periudhë prej rreth 2 javësh pushimi absolut me shpatullën e stabilizuar.

Pas kësaj periudhe, amerikani do të mund të rifillojë gradualisht aktivitetin sportiv dhe t’i rikthehet stërvitjeve. Për të pasur një rikuperim të plotë nga dëmtimi, megjithatë, do të duhet të pritet nga 3 deri në 4 muaj.

Allegri pas lëndimit të McKennie-t e gjen veten në një emergjencë në një repart që pati shumë vështirësi vitin e kaluar. Amerikani dhe Pogba janë në infermieri dhe Arthur-i është në largim.

Treshja titullare do të përbëhej nga Locatelli në fazën e regjisë, Zakaria si mesfushor i djathtë dhe një mes Rabiot-it dhe Fagioli-t në të majtë.

Në dispozicion është edhe Rovella, por reparti në mes të fushës është me numër të pakët. Prandaj ka të ngjarë që Allegri të vendosë të zgjedhë një 4-2-3-1 në fillim të sezonit, duke shtuar një lojtar ekstra ofensiv për të kompensuar mungesat.