Korea e Jugut ka arritur të marrë një fitore spektakolare me rikthim ndaj Portugalisë 2-1.

Portugezët e nisën më mirë sfidën, kur vetëm pas pesë minutash lojë kaluan në epërsi me golin e Ricardo Hortas pas asistimit nga Diego Dalot.

Por epërsia e evropianëve nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 27-të rezultati i barazua në 1-1.

Cristiano Ronaldo bëri një asistim pa dashje te Young-Gwon Kim i cili nga afërsia realizoi për ta rikthyer Kombëtaren aziatike në lojë.

Me rezultatin baras 1-1 përfunduan 45 minutat e para në këtë ndeshje.

Pjesa e dytë ishte më e qetë, por fundi ishte tejet dramatik me Korenë që arriti të shënonte golin e fitores.

Kapiteni i aziatikëve, Heung-Min Son bëri një asistim të mrekullueshëm te Hee-Chan Hwang i cili nga afërsia arriti ta dërgonte topin në rrjetë.

Hwang realizoi për t’i dhënë fitoren e parë Koresë së Jugut në Katar 2022.

Portugalia e mbyll Grupin H në vendin e parë me gjashtë pikë, derisa Korea mbetet e dyta me katër sosh duke kaluar në rrethin tjetër.

Në rrethin e eliminimit direkt, Portugalia do të përballet me vendin e dytë nga Grupi G, ku janë Kombëtaret si Brazili, Zvicra, Serbia dhe Kameruni.

Uruguai ka fituar me rezultat 2-0 ndaj Ganës në kuadër të xhiros së fundit të fazës së grupeve, duke mos i mjaftuar për të kaluar tutje, pasi Koreja e Veriut që kishte pikë të njëjtë me ta, kishe shënuar më shumë gola.

Ndeshja nisi më mirë për Ganën, që fitoi penallti në minutën e 16-të, kur Mohammed Kudus, u rrëzua në zonë.

Pas rishikimit në VAR, gjyqtari akordoi penallti, ndërsa nga pika e bardhë përgjegjësin për të gjuajtur e mori Andre Ayew, por goditja e tij u prit nga Sergio Rochet.

Uruguai u këndell vetëm pas penalltisë, ku filloi të krijojë raste, duke rrezikuar fillimisht me Darwin Nunez.

Në minutën e 26-të erdhi goli, ku Luis Suarez gjuajti, portieri priti, ndërsa nga topi i kthyer shënoi Giorgian de Arrascaeta me kokë nga afër.

Pas gjashtë minutash sërish Suarez dhe De Arrascaeta në aksion, me sulmuesin që asistoi te anësori, që shënoi gol të bukur për 2-0.

Edhe në pjesën e dytë uruguaianët kishin më shumë raste, ku edhe kërkuan penallti në minutën e 58-të, por gjyqtari nuk e gjykoi.

Facundo Pellestri tentoi në minutën e 65-të, por gjuajtja e tij shkoi ngjitur me shtyllën.

Gana kishte rast vetëm në minutën e 80-të, me Antoine Semenyo, por nuk arriti të shënonte.

Në kohën shtesë Edinson Cavani u rrëzuan në zonë dhe kërkoi penallti, por sërish gjyqtari nuk mendoi ashtu.

Edhe në minutat e mbetur Uruguai tentoi me çdo kusht të arrijë fitoren, por nuk ia arriti, duke u eliminuar në grupe.

Portugalia kaloi tutje si lider me 6 pikë, Koreja e Jugut e dyta me katër pikë, aq sa kishte edhe Uruguai, por gola të shënuar më pak. E fundit mbeti Gana me tri pikë.