Sinisa Mihajlovic nuk ia doli. Trajneri serb vdiq në moshën 53-vjeçare, pas një beteje të gjatë kundër leuçemisë, që zgjati nga korriku i vitit 2019. Mihajlovic e luftoi sëmundjen me karakterin e tij prej luftëtari deri në fund, pa mundur t’iu shpëtonte kthetrave të vdekjes.

Në fillim të dhjetorit ai kishte bërë daljen e fundit publike, në Romë, me rastin e një prezantimi libri. Ish-mbrojtësi me prirje të forta sulmuese i Vojvodinës, Yllit të Kuq të Beogradit, Romës, Sampdorias, Lazios dhe Interit, Mihajlovic ishte bërë më pas një trajner i vlerësuar në stolin e Bologna, deri në shkarkimin e tij më 6 shtator.

Ai kishte drejtuar më parë, mes skuadrave të tjera, Milanin, Torinon, Fiorentinën dhe kombëtaren e Serbisë. Si futbollist, me Lazion, ai fitoi titullin në vitin 2000, teksa ishte i lidhur fort me qytetin e Romës, ku jetonte ende.

Mihajlovic ka lënë pas gruan e tij Arianna, vajzat Virginia dhe Viktorija, si dhe djemtë Marco, Miroslav, Dusan dhe Nikolas.

“Gruaja e tij Arianna, me fëmijët e tyre Viktorija, Virginia, Miroslav, Dusan dhe Nikolas, mbesa e tyre Violante, nëna e tyre Vikyorija dhe vëllai i tyre Drazen, me trishtim komunikojnë vdekjen e padrejtë dhe të parakohshme të bashkëshortit, babait, djalit dhe vëllait të tyre shembullor, Sinisha Mihajlovic, – thuhet në njoftimin e familjes.

– Na la një njeri profesionist i jashtëzakonshëm, i disponueshëm dhe i mirë për të gjithë. Ai luftoi me guxim kundër një sëmundjeje të tmerrshme. Falënderojmë mjekët dhe infermierët që e kanë ndjekur ndër vite, me dashuri dhe respekt, Françeska Bonifazi, Dr.Antonio Curti, Prof. Alessandro Rambaldi dhe Dr.Luca Marchetti. Sinisa do të mbetet gjithmonë me ne, do të jetojë me gjithë dashurinë që ai na ka dhënë”.