Atletico Madridi ka dal triumfues në derbin që e luajti kundër Real Madridit në kuadër të javës së 35-të në La Liga, pasi fitoi 1-0.

Los Cholchoneros e filluan më mirë ndeshjen, duke rrezikuar qysh në minutën e katërt me anë të Angel Correas, por që goditja e tij përfundoi jashtë.

Raste të mira shënimi lëshoi edhe Yannick Carrasco që në minutën e 8-të dhe të 12-të, nuk ia doli të gjuante saktë në portë.

Më pas, Atletico fitoi një penallti, pasi Jesus Vallejo shkeli Matheus Cunhan në këmbë brenda zonës së rreptësisë, e që pas rishikimit në VAR, u sinjalizua për penallti.

Nga pika e bardhë, i saktë u tregua Carrasco, që shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 40-të.

Rastin e parë serioz e shpërdoroi Casemiro, pasi në minutën e 59-të, nuk ia doli ta mposhte Jan Oblakun.

Rast të mirë shënimi për Los Blancos pati edhe Federico Valverde (70’), por Oblak sërish ishte në vend për t’i mohuar golin.

Deri në fund të takimit, kampioni tashmë i konfirmuar në La Liga synoi ta nxjerrtë në barazim, por Fede Valverde e Vinicius Junior nuk ia dolën të mposhtin sllovenin.

Pas javës së 35-të, Real Madridi ka 81 pikë, ndërsa Atletico Madridi ka 64 sosh në vendin e katërt.