Real Betisi e ka ndalur me barazim 1-1 Atletico Madridin në kuadër të javës së 30-të në La Liga.
Pas vetëm 5 minutash lojë, Los Rojiblancos kaluan në epërsi me golin e Yanick Carrascos, që u asistua nga Angel Correa.
Por, Betisi i barazoi shifrat në 1-1 me anë të Cristian Tellos (20’), me ndihmë nga Alex Moreno.
Në 45 minutat e dytë, skuadra që drejtohet nga Diego Simeone kërkoi golin e fitores, mirëpo nuk ia dolën.
Betisi rrezikoi me anë të Nabil Fekir në minutën e 71-të, por që goditja e tij shkoi vetëm pranë shtyllës së majtë.
Tre minuta më vonë, Aitor Ruibal Garcia lëshoi një shans të artë, pasi goditja e tij me kokë ishte e pasaktë.
Atletico mund të kishte pësuar humbje në këtë ballafaqim, mirëpo ata i shpëtoi Jan Oblaku me disa pritje të njëpasnjëshme.
Pas javës së 30-të, Atletico Madridi ka lëshuar një mundësi të artë që të shfrytëzonte fitoren e Real Madridit ndaj Barcelonës, pasi aktualisht është në vendin e parë me 67 pikë, 1 më shumë se Los Blancos dhe 2 më shumë se Blaugranasit.