Deportivo Alaves ka fituar pikët e para në La Liga, pas një fitore befasuese ndaj Atletico Madrid me rezultat 1-0 në kuadër të xhiros së shtatë në La Liga.

Skuadra e fundit në tabelë deri më tani, nuk kishte marrë asnjë pikë, por ndaj Atleticos u futën të motivuar në fushë.

Vetëm pas katër minutave lojë vendasit e gjetën golin e epërsisë. Ruben Duarte harkoi për mrekulli nga goditja e këndit, derisa mbrojtësi qendror Victor Laguardia shënoi me kokë për 1-0.

Atletico tentoi të rikthehej në lojë në pjesën e parë, por sulmi i tyre nuk ishte në ditën më të mirë.

Kësisoj 45 minutat e para përfunduan me rezultat 1-0 në të mirë të skuadrës vendase.

Vendasit ishin të vendosur për ta ruajtur epërsinë e krijuar nga pjesa e parë dhe në të dytën nuk i lanë thuajse asnjë hapësirë mysafirëve.

Los Colchoneros tentuan me Suarez, Griezmann, Cunha e Correa, por pa mundur ta thyenin mbrojtjen e fortë të vendasve.

Kësisoj Alaves arriti ta ruaj epërsinë nga minuta e katërt dhe të marrë pikët e para në këtë edicion. Sa i përket kampionit në fuqi të Spanjës, për ta ishte humbja e parë këtë vit.

Me këtë fitre, Alaves i largohet pozitës së fundit në tabelë dhe ka tri pikë. Ndërkohë Atletico Madrid përkundër humbjes mbetet e dyta në tabelë me 14 pikë.