Real Madridi ka fituar me rezultat 2-0 në udhëtim te Cadizi në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të në La Liga.

Ekipi i Carlo Ancelottit është kthyer të fitorja në kampionat, ndërsa ka ngushtuar diferencën me Barcelonën lidere në 10 pikë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të plotë të Los Blancos, të cilët krijuan shumë raste me anë të Karim Benzemas, Marco Asensios dhe Dani Caballos.

Megjithatë, portat mbeten të paprekura gjatë 45 minutave të parë dhe ekipet shkuan në pushim baras 0-0.

Në pjesën e dytë, përsëri Reali ishte skuadër më e mirë, duke krijuar shumë raste, por kësaj radhe shënuan dy gola.

Goli i parë erdhi në minutën e 72-të me anë të Nacho Fernandez, i cili shënoi për 0-1, ndërsa Marco Asensio (76′) u përkujdes për epërsinë 0-2 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Real Madridi e sheh veten në pozitën e dytë me 62 pikë, ndërsa Cadizi renditet në vendin e 15-të me 31 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Los Blancos e pret Celta Vigon, ndërsa Cadizi udhëton te Espanyoli.