Real Madrid ka shënuar fitore me rezultat 3-0 në udhëtim ndaj Gironas duke rimarrë kreun e tabelës në elitën e futbollit spanjoll.

Në dhjetë minutat e parë të ndeshjes, iniciativa i takoi vendasve të cilët patën dy mundësi të mira shënimi përmes Yangel Herreras dhe Artem Dobvyk por që të dyja përfunduan jashtë kuadratit të portës.

Llogarinë e golave në këtë ndeshje e hapi Joselu i cili shënoi në minutën e 17-të pas një asistimi fantastik nga anglezi Jude Bellingham. (1-0)

Vetëm disa minuta më vonë, madrilenët arritën të dyfishojnë epërsinë, kësaj radhe përmes Aurelien Tchouameni i cili shënoi në minutën e 21-të me kokë pas krosimit nga Toni Kroos. (2-0)

Deri në përfundim të pjesës së parë nuk pati më raste të mira shënimi dhe Real Madrid shkoi në pushim me epërsi prej dy golash.

Në minutat e para të pjesës së dytë, më saktësisht në minutën e 50-të, Girona pati mundësinë për të zbutur diferencën përmes David Lopez, gjuajtja e të cilit u ndal nga portieri mysafir Kepa Arrizabalaga.

Goli i tretë dhe ai që vulosi fitoren e thellë të Los Blancos erdhi në minutën e 71-të, ku realizator kësaj radhe ishte Jude Bellingham i cili shfrytëzon një asistim nga veterani Joselu për të shuar të gjitha shpresat e vendasve.

Pak çaste pa përfunduar takimi, Nacho u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të rrezikshme në lojtarin kundërshtar Portu.

Pas kësaj ndeshje, Real Madridi gjen veten si lider i La Ligas me 21 pikë të grumbulluara, i ndjekur nga Barcelona në vendin e dytë me një pikë më pak.